Ujë i turbullt nga rrjeti ujësjellës, struganët detyrohen të blejnë ujë për pije

Sa herë që ka të reshura, në Strugë uji për pije turbullohet. Struganët ankohen, thonë se rregullisht i paguajnë faturat, por sërish detyrohen të blejnë ujë, sepse gjatë verës nuk ka ujë, ndërsa në vjeshtë dhe dimër, uji vjen i turbullt dhe kanë frikë ta konsumojnë.

“Është i turbullt, nuk pihet fare. Ne kemi frikë dhe blejmë, por në këtë krizë nuk ia dalim dot as duke blerë ujë dhe faturat që paguajmë janë shumë të larta”.

“Është për shkak të shirave. Jo, jo, është i turbullt”

“Unë nuk pi ujë çezmë, e marr nga Ohri, nuk e pi nga çezmat tona”

Nga Ndërmarrja Publike, arsyetohen duke thënë se për shkak të reshjeve ka ndotje të burimeve nga termocentralet. Kryetari i Strugës Ramiz Merko thotë se është në zhvillim e sipër realizimi i një projekti me të cilin do të hiqen tubat e asbestit dhe më në fund do të kapërcehen problemet me ujësjellësin.

“Me këtë do të kemi një furnizim të ri, të besueshëm dhe sasior me ujë në zonat e banuara. Mendoj se është dhe prandaj them një projekt jetësor dhe shpresojmë qe te mos kenë problem as Draslajca, as Lozhani, as Livada, as Veleshta as Novosella, Tateshi etj. Do te thotë që do të përfshijë një pjesë të madhe qe këto 60-70 vjet nuk ka është menduar se si të realizohet”, tha Ramiz Merko, kryetar i komunës së Strugës.

Autoritetet sigurojnë se edhe pse uji shpesh është i turbullt, nuk është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve dhe këtë e vërtetojnë analizat e Qendrës për Shëndet Publik.