Shkëndija e Haraçinës po rikthehet fuqishëm

Klubin e financojnë vetë nuk kanë asnjë humbje dhe nuk kanë stadium. Pas shtatë vitëve, riformohet klubi i fubollit Shkëndija e Haraçinës. Edhe pse vjen nga një vend i vogël, nga ky klub kanë dalur emra të njohur të futbollit vendor. Banorët kërkojnë që ta rikthejnë Haraçinën si në kohërat e vjetra.

Edhe pse 75 vjeçar, ndër të parët erdhi për ta parë ndeshjen e ekipit të tij të zemrës. Axha Seletin, për shumë vite ka mirëmbajtur stadiumin e Shkëndisë së Haraçinës, por sot, duhet të vijë në fshat tjetër për t’i ndjekur ndeshjet e klubit për shkak se stadiumi në Haraçinë më nuk është.

Gëzimin që Klubi i futbollit është sërish aktiv nuk e fsheh…

Gazetari: A je gëzuar që sërish është formuar klubi?

Seletin Aziri: Shumë! Po më doket si ajo Shkëndija më herët. Kur e kam marr vesh se është formu menjëherë jam qu me shku. Krejt lojat i kam pa.

Gazetari: Krejt lojat i ke pa?

Seletin Aziri: Krejt, krejt lojat. Nuk mundem me nejt, as natën nuk flej rehat.

Gëzim në tribuna, gëzim në fushë…

Në shtatë ndeshjet sa janë luajtur deri më tani në këtë sezon, Shkëndija e Haraçinës ka shtatë fitore, 32 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pranuar. Ideja për rikthimin e klubit lindi nga një tjetër mbështetës i madh, Naser Isufi.

“Me një komunë ku nuk ka sport dhe kulturë, është komunë e vdekur. Publiku mezi ka prit që të formohet klubi. Kemi publik edhe 85,86 vjet, kemi publik edhe rini. Mirëpo për fat të keq jemi pa stadium dhe tash jemi duke luajtur këtu tek vëllezërit tonë tek Fortuna e Hasanbegut. Prej Shkëndisë tonë mos ti përmendi tash, kemi fakte të gjalla që kanë dal shumë talent të mëdhenj. Mos t’i përmendi, prej te Burimi, Arbeni, Hevziu, Ixheti, Gashi,  kërkoj ndjesë nëse dikën e kam harru por lista është e gjatë”deklaroi Naser Isufi.

Njëri prej kësaj gjenerate të artë ishte prezent edhe sot në stadium. Burim Zendeli, pjesë e gjeneratës që arriti të luante edhe në gjysmëfinale të kupës e që ishte shumë afër  ligës së parë, thotë

“Të them të drejtën, ringjallja e Shkëndisë për haraçinasit është si një shtëpi që nuk ka pas djalë e pas 30 viteve është lindur një djalë. Shumica e familjeve janë shpërngul se nuk kemi pasur asnjë aktivitet, as stadium kështu që me këtë aktivitet një numër i madh janë kthyer edhe fizikisht edhe mentalisht në Haraçinë”, deklaroi ish futbollisti Burim Zendeli.

E sa i përket tifozëve, Shkëndisë së Haraçinës do ti kishin lakmi edhe një numër i madh i ekipeve të ligës së parë…

E shembull për tu ndjekur është edhe menaxhimi me klubin. Harxhimet i mbulojnë me donacione nga vet banorët. Autobusin e klubit ua kanë siguruar mërgimtarët. E lojtarët po ua rikthejnë më së miri në fushë./KlanMacedonia

Përgatiti: Furkan Saliu