UEFA mohon se 3 gushti është afati i fundit për përfundimin e Ligës së Kampionëve

Konfederata e Futbollit të Evropës (UEFA) ka mohuar se 3 gushti është afati përfundimtar për të mbyllur stinorin e Ligës së Kampionëve.

Në një raportim të transmetuesit gjerman ZDF, është cituar presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, se ka thënë që gara duhet të përfundohet deri në atë datë.

“Është raportuar se presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka thënë për ZDF-in në Gjermani se Liga e Kampionëve duhet të përfundohet deri më 3 gusht. Mirëpo, nuk është e vërtetë. Presidenti ka qenë shumë i qartë që të mos jap datë të saktë për mbylljen e stinorit”, është thënë në komunikatë të UEFA-s, transmeton Koha.net.

Ligat nëpër Evropë, por edhe nëpër botë janë pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Liga e Kampionëve po ashtu është pezulluar, ku ende nuk është përfunduar faza e 1/8 së finales.

“UEFA momentalisht po analizon gjitha opsionet me Asociacionin e Klubeve të Evropës dhe Ligat e Evropës, në grupin punues të caktuar më 17 mars, që të kompletohen kampionatet vendore dhe kupat evropiane. Prioritet i gjithë anëtarëve të grupit punues është që të ruhet shëndeti publik. Duke pasur këtë parasysh, duhet të gjendet një zgjidhje kalendarike për të kompletuar gjitha garat. Po studiohen aktualisht opsionet që të luhen ndeshjet në korrik dhe gusht nëse është e nevojshme, varësisht se kur janë datat e rinisjes dhe varësisht nga lejet e autoriteteve nacionale”, është thënë nga UEFA.