Uashingtoni rifillon një pjesë të aktiviteteve diplomatike në Ukrainë

Një diplomate amerikane tha të hënën se Shtetet e Bashkuara mund të rihapin së shpejti ambasadën e tyre në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev.

E ngarkuara me punë Kristina Kvien tha gjatë një konference për shtyp në Kiev se Shtetet e Bashkuara po presin ende një analizë përfundimtare nga zyrtarët e sigurisë, përpara se të rifillojne aktivitetin e tyre atje.

“Kur të na thonë se mund të kthehemi, ne do të kthehemi”, tha ajo.

Zonja Kvien tha se diplomatët amerikanë do të fillojnë të bëjnë udhëtime ditore në kryeqytetin e Ukrainës gjatë dy javëve të ardhshme.

“Jemi të emocionuar që jemi kthyer dhe do të vazhdojmë përpjekjet tona për të bërë gjithçka që është e mundur këtu në terren, për të ndihmuar Ukrainën që të fitojë luftën”, tha ajo.

“Mesazhi ynë për Rusinë është: dështove, Ukraina është ende në këmbë”, shtoi ajo.

Ambasada amerikane u mbyll pothuajse dy javë përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën më 24 shkurt.

Të dielën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se disa diplomatë amerikanë do të fillojnë të bëjnë vizita në Lviv në pjesën perëndimore të vendit.

Lajmi për një rifillim të aktiviteteve diplomatike të SHBA-së në Ukrainë vjen pas disa vizitash nga zyrtarë të lartë amerikane në këtë vend, së fundmi nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. /voa/