U rrëzua nga SHBA, gjenden në oqean sensorët e balonës së dyshuar kineze

Ushtria amerikane ka deklaruar se ka gjetur në Oqeanin Atlantik sensorët e balonës së dyshuar spiune kineze, e cila u rrëzua nga SHBA pasi kaloi mbi territorin e saj.

Komanda Veriore e SHBA-së tha se ekipet e kërkimit gjetën “mbeturina të rëndësishme nga vendi, duke përfshirë të gjithë sensorët prioritarë dhe pjesët elektronike të identifikuara”.

FBI po shqyrton objektet, për të cilat SHBA thotë se janë përdorur për të spiunuar në vende të ndjeshme ushtarake.

Sipas tyre balona në lartësi të madhe e kishte origjinën në Kinë dhe përdorej për vëzhgim, por Kina tha se balona e rrëzuar nga SHBA ishte një aeroplan pa pilot i krijuar për kërkime meteorologjike që ishte zhvendosur nga kursi për shkak të erërave të forta.

Që nga incidenti i parë më 4 shkurt, avionët luftarakë amerikanë kanë rrëzuar edhe tre objekte të tjera në lartësi të madhe; mbi Alaskë, në territorin Yukon të Kanadasë dhe liqenin Huron në kufirin SHBA-Kanada.

“Seksione të mëdha të strukturës” u gjetën gjithashtu të hënën në brigjet e Karolinës së Jugut, thonë zyrtarët ushtarakë.