Pas tetë ditësh nxirren të gjallë nga rrënojat në Turqi dy vëllezër, pritën ndihmë për plot 198 orë

Pothuajse e tërë bota me lot në sy ka shikuar sesi në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një mrekulli në Turqi, ku në qytetin Kahramanmaras pas 198 orëve janë nxjerrë gjallë nga rrënojat dy vëllezër.

Bëhet fjalë për Muhamed Enes, 17-vjeç dhe vëllai i tij Abdulbaki, 20, të cilët për tetë ditë pritën ndihmën, transmeton Telegrafi.

Pas shumë përpjekjeve nga ekipet e shpëtimit, ata janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat dhe pas kontrollit mjekësor se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Kujtojmë që dy tërmete shkatërruese me fuqi prej 7.8 dhe 7.6 goditën tetë më parë Turqinë dhe fqinjin e saj Sirinë – ku si pasojë humbën jetën mbi 37 mijë njerëz.

Ekipe të shpëtimit nga 99 vende të ndryshme të botës gjenden në Turqi, ku po punojnë pa ndërprerë për të nxjerrë të mbijetuarit që kanë mbetur nën rrënoja.

E duke marrë parasysh se kanë kaluar më shumë se një javë nga tërmetet shkatërruese, çdo shpëtim jete po konsiderohet mrekulli.