U prezantuan tre projektet madhore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Sot, në ditën e gjashtë të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e alfabetit”, që organizohet tradicionalisht në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u
prezantua Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

“Kjo është hera e parë që një institucion i yni i ka bërë bashkë të tria akademitë e shkencave, të Shkupit, Tiranës dhe të Prishtinës dhe kjo po ndodhë pikërisht në ‘Ditët e Alfabetit’”, theksoi në
hapje të kësaj ngjarje kryesuesi i këtij sesioni, Dr. Zeqirija Ibrahimi. Në emër të ITSHKSH-së të pranishmit i përshëndeti drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, i cili e falënderoi ASHSH-në për këtë bashkëpunim dhe shfaqi gatishmërinë e plotë që ITSHKSH-ja të jetë në funksion të hulumtimit të përbashkët shkencor albanologjik.

Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, i cili duke e përshëndetur këtë tubim, theksoi se: “Nëse kërkoni një akademi të shkencave shqiptare në Shkup, këtë detyrë hëpërhë po e përmbush me mjaft sukses ky institut. Me fonde shpesh të kufizuara, por me mund dhe entuziazëm gjithnjë të pakufishëm, këta hulumtues arrijnë që çdo vit të botojnë dhjetëra vepra shkencore dhe të organizojnë nga disa aktivitete shkencore, që dikur kanë qenë të paimagjinueshme të ndodhin në Shkup.”.

Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë fjalë përshëndetëse mbajti Sekretari Shkencor i ASHSH-së, Akad. Shaban Sinani, i cili duke i përshëndetur të pranishmit, theksoi se Akademia e
Shkencave të Shqipërisë tashmë ka dalë përtej kufijve politikë, duke i përfshirë të gjithë shqiptarët e Ballkanit, por jo vetëm, në projektet e mëdha hulumtuese shkencore.

Pas kësaj, vazhdoi pjesa punuese, me ç’rast u prezantuan tri projektet e mëdha hulumtuese, si: “Historia e shqiptarëve”, “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” dhe “Enciklopedia Shqiptare”. Në fillim
u prezantua projekti “Historia e shqiptarëve”, për të cilin foli prof. dr. Neritan Ceka, si drejtues i këtij projekti, duke theksuar se në këtë projekt përfshihen të gjithë shqiptarët e rajonit tonë, ndërsa
thellësia e kësaj historie shkon nga antikiteti e deri në vitin 1990-të. Në lidhje me projektin e historisë referoi edhe prof. dr. Marenglen Kasmi, i cili i shpjegoi detajet e hartimit të projektit dhe
orientimet e këtij hulumtimi.

Në lidhje me “Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe” referoi gjuhëtari i njohur nga Tirana, Akad.Valter Memishaj, i cili shpjegoi në detaje se cili është fondi i këtij fjalori, mënyra e mbledhjes së materialit leksikografik, si dhe shpjegimet që janë bërë për këtë fjalor. Pas tij për këtë fjalor referoi edhe Dr. Brikena Liko, e cila më shumë u ndal në mënyrën e prezantimit të Fjalorit në publik, duke shpjeguar se “Fjalori i Madh i Shqipes” së shpejti do të jetë në versionin online dhe para se të shtypet në letër do të jetë në qasje elektronike.

Në lidhje me projektin “Enciklopedia shqiptare” ekspozenë e bëri Akad. Shaban Sinani, i cili foli për detyrimin, vështirësitë dhe natyrën e punës për hartimin e kësaj enciklopedie, që – siç tha ai –
“do të jetë projekti më madhor shkencor i shqiptarëve”. Në të janë përfshirë më se 200 anëtarë të redaksive, ndërsa do të përfshihen së paku 1500 autorë. Ky projekt duhet të përfundojë për 5 vjet.
Në lidhje me “Enciklopedinë Shqiptare” referoi edhe Prof. Dr. Azis Pollozhani, i cili është redaktor përgjegjës i redaksisë së posaçme të kësaj enciklopedie për Maqedoninë e Veriut, si dhe prof.
Valbona Toska, që është anëtarja e vetme e Maqedonisë së Veriut në redaksinë qendrore të “Enciklopedisë shqiptare”.

Të gjitha këto projekte realizohen në bashkëpunim edhe me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në fund të kësaj ngjarje u zhvilluan edhe një ceremoni rasti. Meqë më parë, në bazë të statutit dhe rregullores së ITSHKSH-së Këshilli i ITSHKSH-së e ka zgjedhur prof. dr. Ylber Selën në thirrjen “Bashkëpunëtor i jashtëm shkencor”, sot drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, ia ndau këtëvendim, me ç’rast prof. Sela pati edhe një falënderim publik.