Dy shtetase të Maqedonisë së Veriut janë arrestuar në Mal të Zi, pasi dyshohen se kanë vjedhur katër varëse ari nga një argjendari në Igalo, njoftoi policia malazeze.
Sipas informacioneve, bizhuteritë e vjedhura janë gjetur gjatë aksionit policor dhe u janë kthyer pronarëve të argjendarisë.
Nga Departamenti i Sigurisë në Herceg Novi kanë bërë të ditur se janë arrestuar Zh.C.T. (55) dhe A.R. (33), shtetase të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale vjedhje.
Sipas hetimeve, më 15 korrik, rreth orës 13:30, dy gratë kanë hyrë në një argjendari në Igalo duke u paraqitur si blerëse të interesuara. Ato i kanë kërkuar punonjëses t’u tregojë disa bizhuteri ari, ndërsa gjatë kohës që ajo po ua prezantonte produktet, dyshohet se kanë shfrytëzuar momentin e pakujdesisë dhe kanë marrë pa u vënë re katër varëse ari nga banaku, të cilat i kanë fshehur në çantat e tyre.
Pas vjedhjes, ato janë larguar nga argjendaria, por pas masave të ndërmarra nga policia janë lokalizuar dhe arrestuar dje në një apartament në Herceg Novi.
Policia po vazhdon procedurën ndaj të dyshuarave, të cilat do të përballen me përgjegjësi për veprën penale të vjedhjes.



