Shqipëria s’ka çfarë të shesë, sepse nën drejtimin e Ramës nuk prodhon më asgjë!

Shumë i inatosur, i paqetë, Kryeministri pyet çfarë mund të shesë Shqipëria për të siguruar mirëqenie…

Ka të drejtë të inatoset e të çirret, madje edhe të tallet, se përveç qelesheve, shqiponjave , e flamurëve nuk kemi asgjë për të shitur veç vendit sepse ekonomia që krijoi ky Kryeministër nuk prodhon asgjë.

E ndërsa në 13 vite që drejton na ka siguruar “mirëqenie” për lloj e soj manovrash ekonomike si PPP, investimet strategjike , amnisti fiskale, Rilindja 1.0 e më pas 2.0, e deri për rrogat e larta edhe të krahasueshme me Greqinë të kamarierëve dhe pastruesve, asnjëherë nuk e gjeti as guxim e as forcë të flasë për motorrin e zhvillimit, prodhimin.

Ka të drejtë që nxehet. Sot nuk kemi çfarë të shesim se nuk prodhojmë. Jemi të varur nga importi se nuk prodhojmë. Nuk ofrojmë dot punësim cilësor se nuk prodhojmë. Madje nuk krijojmë e nuk shpërndajmë as njohuri se nuk prodhojmë. Nuk kemi ekonomi të qëndrueshme e si rrjedhim as mirëqenie, se nuk prodhojmë.

“Qëndrueshmëria” nënkupton aftësinë për të përmbushur nevojat e tanishme pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të përmbushur nevojat e tyre. Edhe sektori prodhues është thelbësor në sigurimin e “qëndrueshmërisë”. Prodhimi industrial jo vetëm është një motorr rritjeje për vendet në zhvillim, por për më tepër, është vërtetuar se ai është shtylla e nevojshme për të siguruar rritje ekonomike në kohët e vështira.

Prodhimi përveçse, rrit nivelet e konkurrencës, rrit produktivitetin, siguron punësim cilësor me paga të larta, ai siguron lidhje të ngushta me segmentet e tjerë të ekonomisë. Por prodhimi është e rëndësishme edhe në një aspekt tjetër.

Proceset e prodhimit shpeshherë mbështeten në inputet e sektorëve të tjerë, të cilët përparojnë me përparimin e industrisë prodhuese. Në këtë mënyrë prodhimi ofron funksionin e bartësit të shërbimeve të cilat nuk mund të shiten ose të eksportohen pa u inkorporuar në një produkt përfundimtar.

Ndërkohë prodhimi është burimi kryesor i aktiviteteve të kërkimit, zhvillimit dhe inovacioneve kaq të rëndësishme në kohën e transformimeve teknologjike. Për më tepër pa një industri të shëndetshme prodhuese, është e vështirë të balancohet bilanci tregtar; është e pamundur të krijohen vende pune me pagë të lartë për nivele të ndryshme të aftësive; ndërkohë që me zhvillimet teknologjike industria prodhuese dhe shërbimet do të bëhen gjithnjë e më shumë të pandashme dhe komplementare.

Ndërkohë, më shumë se pesë dekadat e liberalizimit të tregtisë botërore treguan qartësisht se vendet që mbetën mbrapa në industrializim, apo për më keq përjetuan deindustrializim të vazhdueshëm edhe që larguan burimet, tokën, punën, kapitalin nga sektori prodhues, mbetën të pazhvilluara.

E pra sot që të mos shesim Shqipërinë, nuk na duhet makijazhi i fasadave, na nevojiten politika funksionale te mbështetura nga fonde të qenësishme buxhetore që adresojnë rritjen e ofertës në ekonomi nëpërmjet përmbushjes së 4 objektivave:

1) Fuqizimit të sektorit ekzistues të prodhimit duke : neutralizuar efektet të mbivlerësimit të lekut; duke zhvilluar drejtime të reja, siç është zhvillimi i zinxhirit të vlerave, në tekstile, agropërpunim , edhe industrinë e lehtë. Ndërkohë është e nevojshëm krijimi i Fondit të Investimeve të Ndërmjetme i cili duhet të shërbejë si bashkëfinancues për përgatitjen edhe realizimin e projekteve për zhvillim teknologjik.

2) Nxitjes së eksporteve, duke përfshirë jo vetëm mundësinë për zgjerimin e bazës aktuale eksportuese por në të njëjtën kohë zgjerimin e investimeve për tregje te reja dhe produkte të reja. Përvetësimi i tregjeve të reja, rritja e shitjes, rritja e konkurrencës në tregjet e reja, rritja e numrit të ndërmarrjeve me orientim eksporti, mbështetja edhe ndërkombëtarizimi përmes arritjes së standardeve, si dhe integrimi i burimeve të informacioneve eksportuese edhe shpërndarja e tyre janë kyce për sitimulimin e eksportuesve.

3) Rritjes së produktivitetit, transferimit të teknologjive dhe inovacionit. Kjo kërkon krijimin e Zyrës Kombëtare për transferimit të teknologjive, e cila duhet të shërbejë si nyje e ndërlidhjes midis firmave, universiteteve, laboratorëve të kërkimin publikë, agjencive qeveritare dhe institucione financiare. Mungesa e këtij ndërveprimi largon ose rrit distancën e bashkëpunimit midis këtyre aktorëve, duke i lënë ata të izoluar dhe jo bashkëpunues duke penguar transformimin teknologjik dhe inovacionin.

4) Krijimi e një sektori prodhues që krijon dhe shpërndan njohuri. Dështimi në krijimin dhe shpërndarjen e njohurive ndodh për shkak se ne nuk e kemi kuptuar që njohuria prodhohet në ekonomi ( shpërndahet edhe përmirësohet në universitete) dhe për më tepër nuk e kemi konsideruar asnjëherë njohurinë si e e mirë publike. Ndaj është e rëndësishme mbështetja e qeverisë në ngritjen dhe fuqizimin e sektorëve të teknologjikë dhe të kërkimit, aftësimi profesional dhe praktikë i të personave të rinj të sapo punësuar, si dhe sigurimi i ekspertizës teknike ndërkombëtare për kompanitë vendase.

Patjetër ky është ushtrim i vështirë për këdo qeveri, por më e keqja është se për QEVERINË e rilindjes së fasadave, kazinove e koncerteve është i pamundur.

Ndaj i bindur edhe i inatosur për këtë pamundësi ai çirret se nuk ka ç’të shesë përveç Shqipërisë!