Turqia vazhdon mbështetjen për Forcat e Armatosura të Shqipërisë

Institucionet në Shqipëri kanë marrë në dorëzim 6 autoambulancat të mbërritura në kuadër grantit të Qeverisë së Turqisë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të tyre në Komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Tiranë ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, zv/ambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz dhe zyrtarë të tjerë.

Në fjalën e saj, ministrja Xhaçka tha se autoambulancat janë një miniurgjencë, një minispital, pasi sipas saj janë të mirë pajisura me të gjitha elementët, teknologjinë dhe pajisjet e duhura.

“Dua të shpreh mirënjohje dyfish edhe në emër të qeverisë shqiptare për Turqinë, miken dhe aleaten tonë, që na u gjend në këto ditë të vështira edhe pse po përballet edhe vetë me pandeminë. Që sot këto autoambulanca do të jenë pjesë operacionale e Forcave të Armatosura në kuadër të emergjencave civile, por ato në rast nevoje do t’i atashohen edhe Spitalit të Traumës për përballimin e nevojave urgjente në rastin e aksidenteve apo urgjencave të tjera mjekësore”, tha Xhaçka.

Sipas saj, edhe falë mbështetjes të vyer nga Qeveria e Turqisë, emergjencat civile do të kenë një fytyrë të re.

Ndërsa Cengiz gjatë fjalës në ceremoninë e dorëzimit të autoambulancave theksoi se ndihmat e Qeverisë së Turqisë për Shqipërinë do të vazhdojnë.

“Jemi të bindur se me të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare, populli shqiptar do ja dalë që të jetë fitimtar në luftën kundër koronavirusit. Turqia gjithmonë ka qenë pranë Shqipërisë në kohë të vështira. Me dhurimin e këtyre 6 autoambulancave ne thjesht po vazhdojmë traditën që e kemi. Ndihmat e qeverisë turke do të vazhdojnë të jepen për Shqipërinë, për popullin shqiptar dhe uroj që këto të jenë për shumë vite të përdorshme”, u shpreh Cengiz.

Autoambulancat janë pjesë e grantit të Turqisë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, konkretisht për forcat e specializuara për emergjencat.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti është nënshkruar mes Shqipërisë dhe Turqisë plani i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes për vitin 2020, me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Institucionet turke ofrojnë ndihmë të vazhdueshme për Shqipërinë në fusha të ndryshme, duke kontribuar edhe në logjistikën ushtarake dhe të emergjencave civile.