“Turqia nuk do të përkulet para kërcënimeve për Mesdheun Lindor”, Erdogan kërkon negociata

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot se Turqia nuk do të përkulet ndaj kërcënimeve për mosmarrëveshjen me Greqinë dhe Qipron rreth pretendimeve detare në Mesdheun Lindor, ndërsa ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi këtë çështje.

Por, Erdogan u shpreh gjithashtu se Turqia donte negociata mbi pretendimet kontradiktore për shelfin kontinental dhe të drejtat për burimet e mundshme të energjisë.

Ministrat e BE do të vlerësonin bazat për sanksione kundër Turqisë. Drejtuesit e bllokut do të vendosin sot për kërcënimin e tyre, pasi Turqia dërgoi një anije kërkimi në ujërat e pretenduara nga Greqia.

“Në çështjen e Mesdheut Lindor, vendi ynë kurrë nuk përballet me tensionin, por me paqen, bashkëpunimin, ndershmërinë dhe zbatimin e drejtësisë. Rruga për këto shkon përmes negociatave të bazuara në respekt të ndërsjellë”, tha Erdogan, duke përsëritur një thirrje për një konferencë që përfshin të gjithë aktorët në rajon.

Sidoqoftë, Turqia nuk do të lejojë një “mentalitet pirat” të shfaqur nga vendet e tjera për ta kufizuar atë në një brez të ngushtë të ujërave bregdetare.

“Ne nuk do të përkulemi para kërcënimeve dhe shantazheve … Ne nuk do të lejojmë ekspansionizmin imperialist”, tha ai.

Tensionet u ndezën në gusht, kur Ankara dërgoi një anije studimi për të përshkruar perspektivat e shpimit të energjisë në ujërat e pretenduara gjithashtu nga Greqia. Ankaraja dhe Athina ranë dakord të rinisnin bisedimet mbi pretendimet e tyre kontestuese detare në shtator, duke i dhënë fund një ndërprerjeje 4-vjeçare.