Turqia dërgon ndihma mjekësore në Afganistan

Një avion transportues ushtarak u nis nga Ankaraja drejt Afganistanit me ndihmat mjekësore që Turqia ka përgatitur në kuadër të luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të luftës kundër COVID-19, Turqia vazhdon ndihmat e saj me produkte mjekësore për vendet e prekura nga pandemia.

Me këtë qëllim, pajisjet mjekësore dhe laboratorike të përbëra nga 10 ventilatorë, rregullatorë oksigjeni, defibrilatorë, nebulizatorë, 30 mijë kite RT-q PCR për përcaktimin diagnozës së COVID-19, 25 mijë maska N95 dhe 50 mijë maska kirurgjikale dhe normale të përgatitura nga Ministria turke e Shëndetësisë u ngarkuan në avionin transportues ushtarak A400M të Forcave të Armatosura të Turqisë në aeroportin ushtarak Etimesgut në Ankara.

Mbi kutitë e ndihmës krahas stemës së Presidencës, ndodhen flamujt e Turqisë dhe të Afganistanit si dhe thënie nga poeti mistik dhe dijetari Mevlana, i njohur edhe si Rumi: “Pas dëshpërimit ka shumë shpresë. Pas errësirës ka shumë diell”.

Pas ngarkesës avioni u nis drejt kryeqytetit të Afganistanit, Kabul.

Avionët A400M të Forcave të Armatosura të Turqisë, në kuadër të luftës kundër COVID-19 kanë dërguar ndihma mjekësore edhe më parë në vendet si Itali, Spanjë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Britani, SHBA dhe Somali.