Turqia anulon vizitën e ministrit suedez të Mbrojtjes në Ankara

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar njoftoi të shtunën se kishte anuluar vizitën e planifikuar për në datë 27 janar në Ankara, të homologut të tij suedez, kjo pasi autoritetet suedeze kishin dhënë leje për protesta kundër Turqisë në Stokholm.

Demonstratat që mbahen sot kanë ndezur edhe më tej tensionet mes Stokholmit dhe Ankarasë lidhur me çështjen e anëtarësimit të Suedisë në NATO. Suedia ka nevojë për miratimin e të gjitha vendeve, përfshirë Turqinë, në mënyrë që t’i bashkohet aleancës ushtarake.

Organizatorët e protestës përpara ambasadës turke në Stokholm thanë se do të mblidhen për të demonstruar kundër përpjekjeve të Suedisë për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe për të mbështetur komunitetin kurd.

Po kështu një grup demonstruesish proturq kanë marrë leje për t’u mbledhur jashtë ambasadës turke në Stokholm.

“Në këtë pikë, vizita e ministrit suedez të Mbrojtjes Pal Jonson në Turqi më 27 janar është e pakuptimtë. Ndaj dhe e anuluam atë”, tha zoti Akar.

Zoti Jonson do të udhëtonte drejt Ankarasë me ftesë të homologut të tij turk me shpresën për të nxitur Turqinë që të miratojë kërkesën e vendit të tij për t’u bërë pjesë e NATO-s.

Në një reagim të tij zoti Jonson tha se ai dhe zoti Akar ishin takuar të premten gjatë një konference të aleatëve perëndimorë në Gjermani dhe kishin vendosur të shtynin takimin e planifikuar.

“Marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të rëndësishme për Suedinë dhe ne mezi presim të vazhdojmë dialogun për çështje të përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes në një datë të mëvonshme”, shkruante ai në Twitter.

Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e kaluar për t’iu bashkuar NATO-s, pas sulmit rus në Ukrainë, por kërkesa e tyre duhet miratuar nga të 30 vendet anëtare. Turqia ka thënë se Suedia në veçanti, duhet që fillimisht të mbajë një qëndrim më të qartë kundër atyre që i sheh si terroristë, kryesisht militantët kurdë si dhe një grup që e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në vitit 2016.

Ministria e Jashtme e Turqisë thirri të premten ambasadorin e Suedisë për të diskutuar mbi çështjen e protestave. Gjatë takimit diplomatit suedez i ishte thënë se protestat nga një grup që mbron Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) do të konsiderohej si shkelje e marrëveshjeve mes dy vendeve.

Finlanda dhe Suedia nënshkruan një marrëveshje trepalëshe me Turqinë në vitin 2022, me synimin për të kapërcyer kundërshtimet e Ankarasë për anëtarësimin e tyre në NATO. Suedia thotë se ka përmbushur detyrimet e saj bazuar në marrëveshje, por Turqia kërkon më shumë, përfshirë ekstradimin e 130 personave që i konsideron si terroristë.