Trump refuzon oferën e Koresë së Jugut për kostot e mbrojtjes

Presidenti amerikan Donald Trump tha se ka hedhur poshtë një “shumë të caktuar” të parave nga Koreja e Jugut në lidhje me kërkesën e tij që Seuli të marrë një pjesë më të madhe të kostos së forcave ushtarake amerikane të vendosura në këtë vend.

Duke folur në një konferencë të Task Forcës për Koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Washingtoni është duke negociuar me Korenë e Jugut dhe presidentin Moon Jae-in për të ndihmuar SHBA-në në mënyrë monetare për “shërbimin e saj të jashtëzakonshëm”.

“Po mbrojmë një komb të mrekullueshëm. Ne po u kërkojmë atyre që të paguajnë një përqindje të madhe të asaj që ne po bëjmë. Nuk është e drejtë,” tha ai.

“Pra, nuk është çështje zvogëlimi. Është çështje nëse ata do të kontribuojnë në mbrojtjen e kombit të tyre. Tani ata na kanë ofruar një shumë të caktuar parash dhe unë i kam refuzuar”, tha presidenti amerikan.

Sipas Trump, SHBA ka 32.000 trupa në Korenë e Jugut.

Ai e përshkroi Seulin si një “komb shumë të pasur”.

“Ne po bëjmë shërbim të jashtëzakonshëm. Kemi marrëdhënie të mrekullueshme me njëri-tjetrin, por duhet të trajtohemi në mënyrë të barabartë dhe të drejtë”, shtoi ai.