Trump padit Departamentin e Drejtësisë, kërkon hetues të pavarur për dosjet

Donald Trump ka reaguar në rrugë ligjore ndaj bastisjes që agjentët e FBI-së i bënë rezidencës së tij Mar a Lago, në Florida.

Ish-presidenti ka bërë një padi përmes të cilës kërkon që dokumentet e sekuestruara nga Departamenti i Drejtësisë të mbikëqyren nga një palë e tretë, ose një prokuror i pavarur.

Reagimi i Trump e cilëson ndërhyrjen e 8 gushtit të agjentëve federalë, të cilët konfiskuan 11 dosje me dokumente të klasifikuara, një “lëvizje tmerrësisht agresive” dhe pretendon se ai u krye pavarësisht se ish-kreu i shtetit kishte bashkëpunuar për javë të tëra.

Aktualisht Trump po hetohet për keqpërdorim të dokumenteve të rezervuara. Departamenti i Drejtësisë ka argumentuar në qëndrimin e tij se kontrolli ishte autorizuar nga një gjyqtar federal pasi FBI dyshonte se ish-presidenti kishte kryer një krim.

Gjithashtu, institucioni në fjalë ka deklaruar se do t’i përgjigjet në gjykatë reagimit të Trump.