Ndërron jetë anëtari i Filharmonisë së Kosovës

Sot, Filharmonia e Kosovës ka njoftuar për vdekjen e kornistit të saj Bledar Bujupi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, zyrtaret njoftuan se i ndjeri që nga viti 2012 ishte anëtar i Filharmonisë, shkruan lajmi.net.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se dje, më 22 gusht 2022, papritmas ka ndërruar jetë kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi. I lindur më 1991, Bujupi ishte kornist i parë i Orkestrës. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë (Klasa: B. Gashi) ndërsa atë universitar në Fakultetin e Arteve – Dega e Artit Muzikor në Universitetin e Prishtinës (Klasa: A. Goshev dhe A. Canaj). Ka punuar edhe me instrumentistë të njohur ndërkombëtar si: Guido Curti (Itali), Gregory Jones (SHBA), Premysl Vojta (Çeki) etj. Që nga viti 2012 ishte anëtar i Filharmonisë së Kosovës.”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Ndarjen nga jeta të Bujupit, ata e cilësuan si humbje të madhe jo vetëm për Filharmoninë e Kosovës por edhe për skenën e muzikës klasike në vend. /Lajmi.net/