Një akt i jashtëzakonshëm guximi i një rojtari të plazhit 16-vjeçar në Kaliforni ka tërhequr vëmendjen në mbarë Shtetet e Bashkuara, ndërsa Presidenti Donald Trump ka njoftuar se do ta ftojë adoleshentin në Shtëpinë e Bardhë dhe do ta nderojë me një çmim të lartë civil, përcjell albinfo.ch.
Ngjarja ndodhi në plazhin Seabright State Beach në Santa Cruz, ku një djalë rreth 10 vjeç u mor nga dallgët e fuqishme dhe u tërhoq drejt detit. Pa hezituar, 16-vjeçari u hodh në ujë dhe luftoi për më shumë se dy minuta me dallgët e forta, duke e mbajtur fëmijën mbi sipërfaqen e ujit derisa në ndihmë mbërriti edhe një rojtar tjetër plazhi. Fëmija u nxor i sigurt në breg dhe, pas kontrollit mjekësor, iu kthye familjes pa lëndime serioze.
Pamjet e shpëtimit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u vlerësuan gjerësisht si një shembull i jashtëzakonshëm trimërie dhe profesionalizmi.
Presidenti Donald Trump reagoi përmes platformës Truth Social, duke bërë të ditur se do ta ftojë 16-vjeçarin dhe familjen e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se dëshiron ta nderojë me një “çmim të lartë civil” për guximin e treguar, duke shtuar se “ai është shumë trim dhe e meriton këtë vlerësim”. Sipas raportimeve, në ceremoni mund të ftohet edhe djali që u shpëtua.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e punës së rojeve të plazhit, veçanërisht gjatë ditëve me dallgë të rrezikshme. Vetëm gjatë fundjavës së kaluar, rojet e plazhit në rajonin e Santa Cruz kryen 34 operacione shpëtimi për shkak të kushteve të vështira në det, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në plazh.
0 7



