Trump feston shfajësimin nga Senati

Presidenti amerikan, Donald Trump, që përballet me fushatë për rizgjedhje dhe ndoshta edhe me hetime tjera në të ardhmen, ka festuar shfajësimin nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Pasi ka hyrë në sallë ku është pritur me duartrokitje të mëdha nga ligjvënësit republikanë, zyrtarë të administratës dhe figura të mediave konservatore në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka thënë se demokratët kanë nxitur përpjekje “të korruptuara” për të dëmtuar presidencën e tij.

“Unë kam bërë gjëra të këqija në jetën time, e pranoj… mirëpo ky është rezultati përfundimtar”, ka thënë Trump, teksa ka mbajtur një kopje të gazetës Washington Post me titull kryesor “Trump u shfajësua”.

Senati i kontrolluar nga republikanët, ka votuar të mërkurën për ta shfajësuar Trumpin, në procesin e nisur nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo ka qenë vetëm hera e tretë në histori që një president amerikan është përballur me një proces të tillë.

Trump nuk ka lënë pa përmendur disa persona që ai ka konsideruar se i kanë bërë keq, duke përfshirë, kryesuesen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kryetarin e Komitetit për Inteligjencë, Adam Schiff dhe ish-udhëhqësin e FBI-së, James Comey.

“Tani ne kemi këtë fjalë të mrekullueshme. Unë kurrë nuk kam menduar se tingëllon kaq mirë”, ka thënë Trump. Është ‘shfajësim i plotë’”.

Presidenti nuk ka harruar edhe mbështetësit e tij. Ai ka kaluar pothuajse një orë e gjysmë duke përmendur një nga një pjesëtarët e stafit që i kanë qëndruar afër.

Ai ka thënë se Partia Republikane nuk ka qenë kurrë me e bashkuar dhe se prej momentit të shfajësimit ai është gati për rizgjedhje si president të muajin nëntor./rel