Trump anulon sulmet e planifikuara ndaj Iranit, thotë se marrëveshja është pranë finalizimit

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha të enjten se ka anuluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit, duke sugjeruar se një marrëveshje me udhëheqjen e lartë të Teheranit mund të “finalizohet së shpejti”, transmeton Anadolu.
“Në bazë të faktit se diskutimet me Republikën Islamike të Iranit janë ngritur në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane dhe janë miratuar, unë, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam anuluar sulmet dhe bombardimet e planifikuara ndaj Iranit këtë mbrëmje”, shkroi presidenti amerikan në platformën e tij Truth Social.
“Diskutimet dhe pikat përfundimtare janë, si në koncept ashtu edhe në detaje të plota, të miratuara nga të gjitha palët e përfshira, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Turqinë, Pakistanin, Bahreinin, Kuvajtin, Jordaninë, Egjiptin dhe të tjerë”, tha ai.
Trump tha se bllokada detare e SHBA-së në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet në fuqi derisa të arrihet marrëveshja, duke shtuar se “koha dhe vendi i nënshkrimit” do të njoftohen “së shpejti”.
Në një deklaratë të mëvonshme për gazetën New York Post përmes telefonit, Trump sugjeroi se një marrëveshje për fillimin e bisedimeve bërthamore me Teheranin është “thuajse e përfunduar”.
Shkëmbimi i sulmeve mes SHBA-së dhe Iranit vazhdoi për ditën e dytë radhazi të mërkurën, me Trumpin që paralajmëroi të enjten në mëngjes se Washingtoni do të ndërmarrë sulme të tjera nëse Teherani nuk pranon menjëherë një marrëveshje paqeje.
“Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin (marina, forcat ajrore, radari, mbrojtja kundërajrore dhe të gjitha format e tjera të mbrojtjes, së bashku me shumicën e kapaciteteve të tij sulmuese, janë shkatërruar!), shumë fort sonte”, tha Trump më herët në Truth Social.
“Në një moment jo shumë të largët, ne do të marrim Ishullin Kharg dhe pika të tjera të infrastrukturës së naftës, dhe do të marrim kontroll të plotë mbi tregjet e tyre të naftës dhe gazit, ashtu si kemi bërë me Venezuelën, gjë që po funksionon shumë mirë për të dy vendet”, shtoi ai./Anadolu