Tri kërkesat e BE-së për Kurtin e Vuçiqin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka treguar se në emër të Bashkimit Evropian, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ua ka prezantuar tri elementet në të cilat duhen të fokusohen.

Në një postim në Facebook ai ka thënë se fillimisht nevojitet depërshkallëzimi i situatës, pastaj zgjedhjet e reja në veri dhe kthimi në Marrëveshjen e Ohrit.

“Në emër të BE-së, pritshmëritë tona të qarta ua prezantuam të dyja palëve, të fokusuara në 3 elemente: 1/ depërshkallëzimi 2/ zgjedhje të reja në veri 3/ kthim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar ai.

Lajçak ka shtuar se në ditët në vijim do të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me të dyja palët, duke shtuar se do të ndjekin nga afër zhvillimet në terren.

“E nisa këtë javë me një vizitë në Uashington DC, ku u angazhova në diskutime produktive me kolegë dhe zyrtarë mbi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet tona të përbashkëta BE-SHBA. Ishte shumë e rëndësishme të isha në SHBA dhe të krahasoja shënimet me bashkëbiseduesit e mi gjatë kësaj kohe të ndjeshme. U takova me nënsekretaren e shtetit Victoria Nuland dhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet. Kemi ndarë një vlerësim të përbashkët për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e lehtësuar nga BE’, ka thënë ai.

Lajçak ka shtuar se është takuar gjithashtu edhe me zëvendës-ndihmës Sekretarin Gabriel Escobar për të shkëmbyer shënime mbi situatën në rajon.

Në këtë postim, Lajçaku ka theksuar se vlerësohet shumë bashkëpunimi i ngushtë dhe mbështetja e fortë nga SHBA-ja.

Nga SHBA-ja ka thënë se është kthyer menjëherë në Bruksel për të ndihmuar Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell në mbledhjen e takimeve të menaxhimit të krizës me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministrin Albin Kurti.