Tri doza vaksine për t’u futur në Kosovë, qytetarët bllokojnë rrugën në Morinë

Një numër qytetarësh po protestojnë afër pikëkalimit kufitar Kosovë – Shqipëri në Morinë. Situata është tensionuar për shkak të rregullave të rrepta anti-covid që Kosova po i aplikon së fundmi në kufij. Qytetarët kërkojnë heqjen e masave kufizuese pasi tashmë për t’u futur në Kosovë duhen tri doza të vaksinës kundër Covid-19, ose dy doza dhe një test negativ PCR.

Nga pamjet e siguruara nga ABC në kufi duket një prezencë e shtuar e forcave policore të cilët tentojnë të negociojnë me qytetarët që e kanë bllokuar rrugën.

“Herën e parë me një vaksinë, herën e dytë me dy, herën e tretë me tre. Ndërkohë që vaksina e tretë bëhet gjashtë muaj. Ka afat kohor 6 mujor”, shprehet një qytetar i revoltuar.

Të shumta kanë qenë reagimet pasi Kosova njoftoi masat e reja anti-covid nga qytetarë por edhe nga shtete fqinje si Maqedonia e Veriut e cila kërkoi rikthim të masave paraprake. /abcnews.al/