Tre vëllezër anglezë po ofrojnë pemë e perime falas për të moshuarit

Një lagje në pjesën veriperëndimore të Anglisë duket se e ka një ndihmë të veçantë në luftën kundër koronavirusit. Tre fëmijë, vëllezër mes vette, po ofrojnë pemë e perime para shtëpisë së tyre për ata që nuk mund të shkojnë në dyqane.

Tre vëllezërit dhe prindërit e tyre i kanë ndihmuar më shumë se 50 fqinjë të izoluar që kanë nevojë për ushqim ose përkrahje tjetër. Ata jetojnë në rajonin e Mançesterit.

Nëna e djelmoshave, Angela Barry, u zotua për t’i ndihmuar fqinjët e moshuar pasi gjyshi i saj vdiq vitin e kaluar. Kështu, ajo i mobilizoi djemtë Joshuan, 9 vjeç, Benin, 7 vjeç dhe Isakun, 4 vjeç, për të kontribuar në këtë aspekt.

Familja Barry tashmë është bërë e famshme në komunitetin e tyre për tezgën me pemë e perime falas, shkruan “Daily Mail”.

“Ata magjepsen shumë kurdo që dikush merr diçka nga tezga e tyre. Po njoftohen me shumë njerëz të zonës dhe të gjithë po i njohin ata. Ata po mendojnë se janë të famshëm”, tha nëna e djemve.

“Stërgjyshi i tyre gjithmonë i ndihmonte njerëzit dhe po e bëjmë këtë në kujtim të tij”, shtoi ajo.

Familja Barry po kërkon nga fqinjët që të vendosin letra me ngjyra në dritare për të dhënë shenjë se kanë nevojë për ndihmë.