Tre të arrestuar, janë gjetur gjithsej 95 emigrantë në tre raste të veçanta

Policia ka privuar nga liria tre persona të dyshuar për fshehje të emigrantëve, ndërsa në automjetet të cilat i kanë drejtuar gjithsej janë gjetur 95 emigrantë dhe atë nga Bangladeshi, Pakistani, Afganistani, Siria dhe Iraku.

Në rrugën lokale drejt fshatit të Strumicës, Tri Vodi, në afërsi të drejtpërdrejtë në “Raborska kërstosnica”, mbrëmë në orën 19:30 nëpunësit policor nga SPB Strumicë e kanë privuar nga liria D.H.(25) nga Velesi.

“Gjatë kontrollit të automjetit “Mercedes”, me targa të Shkupit, që e ka drejtuar D.H., janë gjetur 50 emigrantë dhe atë 33 nga Bangladeshi, 15 nga Pakistani dhe dy nga Afganistani. D.H. është privuar nga liria dhe është mbajtur në Stacionin policor Strumicë, ndërsa kontroll në vend kanë kryer ekipet e Qendrës rajonale për punë kufitare dhe SPB Strumicë. Pas dokumentimit të tërësishëm të rastit, kundër shoferit do të ngritet padi përkatëse”, kumtoi sot MPB.

Mbrëmë rreth orës 20:00, në vendin e quajtur “Kanda”, në rrugën magjistrale Shtip-Radovish, nëpunës policor nga Reparti për punë kufitare dhe migrime e kanë privuar nga liria R.S.(30) nga Shkupi, i cili e ka drejtuar automjetin “Alfa Romeo”, me targa të Sveti Nikollës, ndërsa në të cilën janë gjetur gjashtë emigrantë nga Pakistani. Siç qëndron në kumtesën e MPB-së, gjatë ndaljes së tij, R.S. ka bërë përpjekje për të ikur, por është ndalur. Pas bastisjes së kryer në automjet është konfirmuar se targat i përkasin automjetit motorik “Folksfagen”. R.S. dhe emigrantët janë dorëzuar te nëpunësit policor nga Stacioni policor Sveti Nikollë për procedurë të mëtutjeshme.

Më 27.07.2020 rreth orës 05:00 në vendin e quajtur “Raborska kërstosnica”, Strumicë, nëpunësit policor të SPB-së Strumicë e kanë privuar nga liria B.I. i cili e ka drejtuar automjetin me targa të Kërçovës.

“Gjatë ndaljes së automjetit ai është munduar të ikë, por është ndaluar, ndërsa pas bastisjes së kryer të automjetit janë gjetur 39 emigrantë (35 nga Siria dhe katër nga Iraku). Kontroll është kryer, ndërsa pas urdhërit të prokurorit publik emigrantët janë akomoduar në QPT “Vinojug” në Gjevgjeli për procedurë të mëtutjeshme. Pas dokumentimit të tërësishëm të rastit, kundër B.I. do të ngritet padi përkatëse për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se ka bërë vepër penale “fshehje të emigrantëve”, sqarohet në kumtesën e MPB-së./MIA