Tre policët që po mbahen në paraburgim në Serbi do të vizitohen sot nga familjarët e tyre

Tre zyrtarët policorë të Kosovës të cilët janë në paraburgim me vendim të institucioneve në Serbi, sot pritet të vizitohen nga familjarët e tyre në qendrën e paraburgimit në Kralevë.

Lajmin për Kallxo e ka konfirmuar zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Qëndresa Fazliu.

MPJD përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, e cila është në komunikim të vazhdueshëm me familjarët dhe zyrtarët policorë, është njoftuar se vizita e familjarëve të policëve të Kosovës pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme.

Poashtu nga MPJD kanë konfirmuar se tashmë janë dërguar të gjitha medikamentet e nevojshme për zyrtarin policor, Shemë Mustafa, i cili ka probleme shëndetësore.

Më 14 qershor 2023, tre policë të Kosovës u kidnapuan nga autoritetet serbe. Sipas Policisë së Kosovës, tre policët e arrestuar janë kapur në afërsi të Leposaviqit.

Ndaj tre policëve, më 16 qershor u vendos masa e paraburgimit prej 30 ditësh, e për lirimin e tyre pati kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarët shtetërorë e ndërkombëtarë.

Lirimi i tyre iu kërkua prapë më 22 qershor presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit bilateral që ai pati me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Madje, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell pas takimeve që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e me presidentin serb tha se takimet e 22-qershorit u fokusuan në gjetjen e mënyrës se si të qetësohet situate në terren; si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog.

Një nga kërkesat që ai ia theksoi presidentit serb është edhe që tre policët duhet të lirohen urgjentisht dhe pa kushte.

Që nga 26 maji, qytetarët serbë janë duke protestuar në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe protestuesve mbetën të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore mbetën edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar disa herë gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Veturat e mediave, e edhe të Policisë së Kosovës u thyen e u djegën.

Për sulmet që u bënë në drejtim të gazetarëve u arrestuan disa persona, e një nga të arrestuarit gjatë këtyre ditëve po dyshohet të jetë i përfshirë edhe në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e po ashtu edhe për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në dhjetor të vitit të kaluar në veri.

Personi që po dyshohet për kryerje të këtyre veprave penale është Milun Milenkoviq i njohur si Llune, i cili u arrestua më 13 qershor 2023.

E vetëm një ditë pas arrestimit të tij, më 14 qershor Policia e Kosovës kishte konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues ishin kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. /kallxo