Tre mitet për Ali Ahmetin që u thyen për dy vite

Shkruan: Omer Ajdini

Në dy vitet e fundit janë thyer tre mitet më të rëndësishme të Ali Ahmetit të cilat e kanë mbajtur gjallë figurën e tij mitike tek shumë njerëz:

1. Që Ali Ahmeti është i pastër dhe se ai dhe familja e tij nuk kanë përfituar materialisht nga qeverisja 20 vjeçare. Doli e kundërta. Ali Ahmeti ka shtëpi e villa qindra mija euroshe; dhëndrri i tij, vajza e tij, djali i tij, vëllai i tij kanë biznese me qarkullim multi-miljonësh. Kulmi është djali i vëllaut të tij 24 vjeçar që bleu Soravian 35 miljon euro. Këto treguan që Ali Ahmeti ka ndërtuar perandori në kohën që nënat shqiptare vajtonin djemtë që u iknin në Gjermani.

2. Që Ali Ahmeti është një master-mind dhe ai personalisht i kryen “punët e rënda”. Doli ndryshe. Në rastet më të rënda dikush tjetër i paska luajtur figurat e shahut (një ndër ta Izet Mexhiti) dhe meritat i paskan mbetur Ali Ahmetit; ndërsa sot në mungesë të njerëzve të shkathët endet dyerve të huaja i vetëm që të gjejë shpëtim për kokën e tij dhe mbetet pikëpyetje se a do të gjejë!

3. Që Ali Ahmeti nuk mund të mposhtet. Fakti që Ali Ahmeti shkon dhe i lutet tani disa herë Arben Taravarit në komunë të Gostivarit për koalicion parazgjedhor dhe bën thirrje që t’i bashkohen edhe partitë inegzistente tregon që nga mungesa e mbështetjes popullore ai ka mbetur shumë vulnerabël dhe është më i dobët se kurrë. Pra veçmë fatin e tij politik e ka varur tek dëshira e të tjerëve për ta shpëtuar.

Prandaj ky është një rast ideal për shqiptarët e Maqedonisë që pas 20 vitesh të tregojnë kapacitet shoqëror dhe politik duke e dënuar me votë dështakun. Në të kundërtën, do të mbetemi rast unik në Europë i mungesës së kapacitetit kolektiv për ta ndëshkuar atë i cili na ka keq-trajtuar për dy dekada të tëra. Miti ka rënë poshtë, pret vetëm dënimin!