Tre javë para shpërndarjes së Kuvendit, sillen qindra ligje për votim

Vetëm tre javë para shpërndarjes së Kuvendit, në procedurë janë qindra propozim ligje, kryesisht për fushën e ekonomisë dhe sociales. Për VMRO DPMNE-në, me këto ligje pushteti dëshmon frikë dhe tenton të përfitojë pikë politike në zgjedhjet e prillit.

Posaçërisht në dy seancat e fundit ku kemi më shumë se 200 ligje prej të cilave pjesa më e madhe janë në procedurë të shkurtuar e dëshmon panikun në të cilin ndodhet LSDM-ja- tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Nga opozita shqiptare vlerësojnë se kur BDI është në pushtet, qoftë me VMRO-në ose LSDM-në imponon praktika negative në Kuvend. Deputetët nga Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, Fadil Zendeli dhe Arta Toçi thonë se deputetët nuk kanë kohë që të shqyrtojnë propozim ligjet e pushtetit.

Parashtrohet pyetja pse duhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme të propozohet kaq numër i madh i këtyre propozim ligjeve kur nuk kemi kohë të masim efektin e zbatueshmerisë së tyre. Efekti është sa më shumë ligje të sjellim, që të themi se kemi sjellë kaq e kaq ligje nga fushat e ndryshme, mirëpo a kanë ndonjë të mirë ndaj qytetarëve dhe konform standardeve evropiane të cilën e kemi edhe detyrim nga organet ndërkombëtare, për këtë Qeveri nuk kanë shumë rëndësi- pohoi Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Kemi frikë se me anë të kësaj mënyre të punës fillon një fushatë parazgjedhore e cila po bëhet edhe brenda përbrenda parlamentit. Kjo mënyrë e funksionimit është e njohur sepse edhe më parë kanë ndodhur mënyra të këtilla të funksionimit të parlamentit dhe mendojmë se në çdo qeveri në të cilën është BDI e imponon një mënyrë imponimi si me VMRO, ashtu edhe me LSDM- tha Arta Toçi, Aleanca për Shqiptarët

Ndërsa deputetët e pushtetit thonë se me propozim ligjet të cilat ndodhen në procedurë parlamentare, do të përmirësohet jeta e qytetarëve. Vetëm në seancën e 126-të të Kuvendit, deputetët diskutojnë për 125 pika të rendit të ditës./Alsat