Transferi i pushtetit nëpërmjet fotografive, Kurti: Do ta lexoj me kujdes raportin e Haradinajt

Albin Kurti është pritur sot nga garda shtetërore në Qeverinë e Kosovës, për ta marrë edhe formalisht mandatin e Kryeministrit. Përmes fotografive, gjeni ditën e partë të Kurtit në krye të ekzekutivit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e kreut të ekzekutivit nga zëvendëskryeministri i deritashëm, Behgjet Pacolli, të përcjellë nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të rreshtuar në nderim të kryeministrit të ri.

Pas kësaj ceremonie shtetërore, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, tha se kishte nderin që në mënyrë edhe zyrtare t’ia dorëzojë kryeministrit të ri, Albin Kurti, pozitën e kreut të Qeverisë së Kosovës, duke e quajtur këtë një ditë të jashtëzakonshme për Kosovën dhe qytetarët e saj, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Ne e kemi edhe një raport të cilin do t’ua dorëzoj. Do të ishte mire që këtë ta bënte z. Haradinaj, por meqenëse ai nuk është këtu më ka autorizuar mua që të jem unë ai që e dorëzon detyrën duke iu dëshiruar çdo gjë  të bukur, suksese të mëdha, shëndet, lumturi dhe punë të mbarë”, theksoi zëvendëskryeministri Pacolli.

Pas pranim-dorëzimit të detyrës, kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, e falënderoi Pacollin për pritjen dhe ceremoninë e sotme, por edhe raportin e punës së Qeverisë së deritashme, të cilin raport tha se do ta lexojë me kujdes.

“Unë mbrëmë kam biseduar me kryeministrin Haradinaj i cili ndodhet në SHBA dhe kthehet në fundjavë. Pastaj do të takohemi edhe me të dhe ta mbajmë komunikimin e bashkëpunimin tonë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Pas pranimit të detyrës zyrtare, kryeministri Albin Kurti mbajti mbledhjen e parë ceremoniale të Qeverisë së Republikës Kosovës.