Tramp: Duart e Sulemanit, të përlyera me gjak

Dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak janë goditur nga më shumë se një duzinë raketash balistike nga Irani. Sulmi është ndërmarrë, si hakmarrje ndaj vrasjes së komandantit të lartë të vendit, Qasem Soleimanit. Dy bazat e ushtrisë amerikane që u sulmuan janë në Irbil dhe Al Asad të Irakut. Presidenti amerikan Donald Tramp në fjalimin e tij drejtuar kombit pas sulmit konfirmoi se sulmi me raketa në dy bazat amerikane nuk ka prekur asnjë ushtar amerikan, por ka pasur vetëm dëme minimale. Tramp paralajmëroi sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit, të cilin e quajti financuesin kryesor të terroristëve.

Derisa unë jam president i Shteteve të Bashkuara, Irani nuk do të lejohet asnjëherë të ketë armë bërthamore. Populli amerikan duhet të jetë skajshmërish i lumtur, sepse asnjë amerikan nuk është dëmtuar nga regjimi iranian. Ushtarët tanë janë të sigurt. Kemi vetëm dëme minimale në bazat tona ushtarake. Ushtria jonë është e gatshme për çdo gjë. Ne do të vlerësojmë që ti përgjigjemi sulmeve të Iranit. Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ekonomike mbi regjimin e Iranit. Këto sanksione të fuqishme do të mbeten deri në momentin që ata ndryshojnë qëndrim”-pohoi Donald Tramp, president i SHBA-së.

Tramp tha se vrasja e Solemanit ndodhi për shkak se ai po planifikonte sulme të tjera dhe objektivat ishin amerikane. Sipas tij duart e komandantit ushtarak ishin të përlyera me gjak amerikan dhe iranian dhe duhej të ishte ekzekutuar para shumë kohësh.

Ndërkohë Qeveritë në mbarë botën apeluan për një rikthim te diplomacia. Bashkimi Evropian kërkoi t’i jepet fund menjëherë përdorimit të armëve në Lindjen e Mesme duke shtuar se palët duhet të bëjnë përpjekje për t’iu rikthyer dialogut. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e dënoi sulmin dhe i kërkoi Teheranit që të përmbahet. Nga ana tjetër udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në një fjalim televiziv tha se sulmi ishte “një shuplakë në fytyrë” dërguar Shteteve të Bashkuara. Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara përmes sulmeve ajrore vranë udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani. Irani kishte kërcënuar se do të hakmerret ashpër. Soleimani ka udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen.