Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu analizon sezonin vjeshtor: Duhet të jemi të kënaqur, në janar do të përforcohemi, deri në fund do të garojmë për titull

Trajneri i Dritës së Gjilanit, Ardian Nuhiu, është kthyer në Shkup, pas përfundimit të sezonit vjeshtor të Ipko Superligës së Kosovës në futboll. Dhe, ditën e diel, ai ka shfrytëzuar për të parë nga afër derbin e madh në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, Vardar-Shkëndija 2-2. Në një intervistë për faqen e gazetarit e Reshat Ibrahimi, Nuhiu, ka vlerësuar si pozitiv suksesin vjeshtor. Drita e tij përfundoi në vendin e tretë me 31 pikë në 17 ndeshje (prej tyre 9 fitore, 4 barazime dhe 4 humbje, goldallim 26-11), tre më pak se kampioni vjeshtor Ballkani dhe Gjilani i dyti me 32 pikë. “Sot jam këtu për të parë ndeshjen Vardar-Shkëndija, dhe jo për të vëzhguar ndonjë futbollist, pasi është e vështirë të marrësh ndonjë lojtarë nga Shkëndija. Të gjithë janë me kontrata, megjithatë nëse jepet ndonjë mundësi, atëherë mund të bëjmë diçka”, e nis kështu bisedën Nuhiu. pastaj, ai është kthyer për të dhënë një vlerësim të skuadrës së tij në sezonin vjeshtor. “Duhet të jemi të kënaqur, edhe pse kemi mundur edhe më mirë të kalojmë në pjesën e parë të sezonit vjeshtor. Për mendimin tim kemi mundur ti kemi edhe katër pikë më shumë në konton tonë, por ky është futbolli”, deklaroi strategu Nuhiu. “Ne presim të përforcohemi gjatë afatit kalimtar dimëror, pasi dihen ambiciet tona-gara për titullin e kampionit. Do të përforcohemi në repartin ofensiv, kemi nevojë për një sulmues dhe një sulmues majtak, sepse aty mendoj se kemi çaluar më shumë”, vijon Nuhiu. Ai tregon se kush do të jenë konkurrentët për titull, ku mes tyre e sheh edhe Dritën. “Favorit për titull kampioni mbeten Ballkani, Gjilani, Drita, Prishitina, Feronikeli ka shtatë pikë më pak se kampioni Ballkani. Pra, në mes këtyre skuadrave duhet kërkuar kampionin e ardhshëm të Ipko Superligës së Kosoovës në futboll”, përfundoi intervistën Ardian Nuhiu për faqen e gazetarit Reshat Ibrahimi.