Trajneri i Belgjikës: Reali mund t’ia fitojë Hazardit Topin e Artë

Trajneri i ekipit kombëtar të Belgjikës, Roberto Martinez, thotë se transferimi i Eden Hazardit në Real Madrid nga Chelsea bën që ai të jetë tani një hap më afër triumfit në garën për Topin e Artë.

Eden Hazardi e shkëmbeu Chelsea për Real Madridin gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, në një marrëveshje prej 100 milionë eurosh. Megjithatë, belgu s’ka arritur ta shfaqë më të mirën e tij në Santiago Bernabeu ende, transmeton Gazeta Express.

Problemet e shumta me lëndime e kanë kufizuar Hazardin në vetëm 15 paraqitje në kryeqytetin spanjoll, ku sulmuesi nuk kishte luajtur që nga 22 shkurti për shkak se e kishte thyer kyçin e këmbës, para përhapjes së Covid-19.

Por, trajneri i ekipit kombëtar të Belgjikës, Martinez, pret gjëra të mëdha nga Hazardi në Real.

“Ai mund ta fitojë Topin e Artë me Real Madridin, s’kam asnjë dyshim”, ka thënë Martinez, në një intervistë të dhënë për Cadena Ser.

“Nganjëherë duhet një fillim i ngadaltë në klubin tënd të ri për të dhënë gjithçka që ke brenda dhe ta kuptosh se çfarë do të thotë të luash për një klub të madh si Real Madridi”.

“Eden nuk mungon në ndeshje, ai i humbi vetëm 18 ndeshje me Chelsean në tetë vjet. Në ndeshjen që u lëndua kundër Paris Saint-Germainit, ne e pamë një Eden të kënaqur me lojën e tij dhe duke pasur lidhje të mrekullueshme me bashkëlojtarët”. /Gazeta Express/