Tragjedi në Nju Jork: Shembet ndërtesa trekatëshe, dy të vdekur dhe 17 të plagosur

Një ndërtesë trekatëshe është shembur në lagjen Bruklin të Nju Jorkut, duke shkaktuar vdekjen e të paktën dy personave dhe plagosjen e 17 të tjerëve.

Mes të plagosurve janë edhe shtatë fëmijë, ndërsa katër persona ndodhen në gjendje kritike. Në mesin e të lënduarve është edhe një zjarrfikës.

Mbi 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës janë angazhuar në operacionin e shpëtimit. Ekipet vazhdojnë kërkimet në rrënoja, pasi ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë të bllokuar.

Sipas autoriteteve, ndërtesa u shemb në një kantier ndërtimi ngjitur, ku në atë moment po kryheshin punime gërmimi.

Kryetari i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e cilësoi ngjarjen si tragjike, ndërsa shkaku i shembjes mbetet nën hetim.

Operacioni i kërkim-shpëtimit mund të zgjasë disa ditë, për shkak të paqëndrueshmërisë së rrënojave dhe rrezikut nga shembjet e mëtejshme.