Tradhtitë që nuk do t’i falen/ Kërkohet dorëheqja e Ramush Haradinajt

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ia ka kërkuar edhe njëherë dorëheqjen kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, për të cilin tha se me refuzimin për gazsjellësin u dëshmua antiamerikanizmi i Kurtit, ndërsa me marrëveshjen për targat e ktheu Kosovën 10 vjet prapa.

Për këtë arsye, sipas Haradinajt, Albin Kurti i ka plotësuar të gjitha kushtet që të jap dorëheqje nga posti që mbanë.

“Ky njeri i ka plotësuar të gjitha kushtet që të jap dorëheqje, mbetja e tij në këtë detyrë qoftë edhe për një ditë të vetme është e dëmshme dhe rrezikshme për Kosovën. Unë me kohë e kam vërejtur se është mashtrues dhe kam dyshuar se është i rrezikshëm për vendin. Për atë arsye e kam pyetur se kush je ti, a mos je i zënë peng dhe ka po e qon Kosovën. Sot dyshimet e mia se ai është i dëmshëm dhe rrezikshëm për vendin u vërtetuan”, deklaroi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

E krejt këto sulme ndaj Kurtit nga Haradinaj, analisti politik, Gani Qarri i sheh si frikë e këtij të fundit për fiaskon që mund ta pësojë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Image
Gani Qarri
Foto galeri

“I trishtuar nga humbjet tepër të mëdha që pësoi në zgjedhjet nacionale, partia e Ramushit dhe partitë simotra të njohura si parti të inkriminuara në korrupsion e krim të organizuar, të cilat për mese dy dekada e zhvatën, plaçkitën dhe rrjepën deri në palcë, shtetin dhe popullin e Kosovës, nga frika se në zgjedhjet komunale mund të pësojnë fiasko të plotë, Ramush Haradinaj i pari nga gjithë të tjerët, nuk po lë gurë as dru, pa përdorur, për ta sulmuar ne vazhdimësi Kryeministrin Albin Kurti”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Qarri shprehet se Haradinaj po shpreson kot për rrëzimin apo dorëheqjen e Kurtit nga posti i kryeministrit.

“Madje për habi të mbarë opinionit vendor e më gjerë, mu në prag të zgjedhjeve lokale, derisa po zhvillohet edhe fushatë e përditshme, për vota, Ramush Haradinaj i cili bashkë me Hashim Thaçin, dhe Isa Mustafën para më pak se një viti në postin e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës e sollën vet Goran Rakiqin e Listës serbe, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti-1, tani nuk po heziton që të kërkojë edhe dorëheqjen e kryeministrit, me shpresën se po të ndodhte vërtetë shkuarja e Kurtit nga pushteti, AAK do të merrte ndonjë “kokërr” më tepër, në kutinë e votimeve dhe nuk do ti humb edhe komunat që deri më tani udhëhiqte partia e tij”, deklaron analisti Qarri.

Më tej, Qarri thotë se populli i Kosovës nuk do t’ia fal asnjëherë tradhtitë Ramush Haradinajt.

“Por nëse vërtetë Ramush Haradinaj shpreson se me këto sulme do ta rris përkrahjen në opinion dhe fitojë ndonjë votë më shumë në zgjedhjet lokale që tanimë po ofrojnë, besoj se është duke shpresuar gabim, pasi që qytetarët e Kosovës nuk mund të kenë harruar kaq shpejtë Kullën as Çakorrin, e aq më pak 8300 hektarë tokë të falura Malit të Zi, për karrigen e kryeministrit. Madje populli i Kosovës nuk mund t’i falë më tradhtitë dhe as pagesat që Dhurata Hoxha si ministre e Qeverisë së Ramush Haradinajt, me parat e taksapaguesve të Kosovës i paguante me shifra qindra mijëra eurosh firmat e huaja si ajo franceze; “Majorelle PR & Events” e cila si ish këshilltare e Thaçit dhe Ministre e Integrimit nga radhët e PDK-së,në qeverinë e koalicionit PANA të udhëhequr nga Ramush Haradinaj,pagoi 168,000 euro firmën “Majorelle PR & Events”, për ndarjen e Kosovës, vetëm rreth 1-2 vite më parë”, thekson Qarri për “Bota sot”.

“Për aq më tepër unë urojë dhe dua të shpresojë shumë, që sidomos në Gjakovë, kandidati i AAK-së t’i humb zgjedhjet sa më parë, jo se Mimoza Kusari pritet të bëjë ndonjë “nam” në këtë qytet, por të paktën siç shprehen me dëshpërim anasit e mi, do të pushojnë shitjet e titujve, kuazi “heronjve” dhe bashkëpunëtorëve të Millutin Preshqeviqit, të cilët në vend se të luftonin për çlirimin e vendit, në vjeshtën e vitit 1998 dorëzuan komplet armatimin dhe siç tregojnë edhe sot bashkëvendësit, festonin dorëzimin, bashkë me Millutinin në shtëpinë e komandanti, të shpallur “hero” nga Ardian Gjini, akt që shkel mbi gjakun e dëshmorëve dhe degjeneron rëndë historinë e shenjtë të luftës dhe vlerat e UÇK-së”, shprehet më tej analisti politik, Gani Qarri.

Për fund, analisti Qarri në vend të dorëheqjes së Kurtit, kërkon dorëheqjen e Ramush Haradinajt krejtësisht nga politika.

“Pastaj partive të inkriminuara dhe shefave të tyre, populli i varfër i Kosovës nuk mund tua falë as abuzimet me paranë e shtetit, luksin e qejfet e shtrenjta dhe shpenzimet e pafund për vete, për gra e dosta, shtëpi e vila private dhe shuma marramendëse parash të cilat asnjëri prej tyre, nuk ka provuar ti justifikojë kurrë para popullit dhe qytetarëve të varfër të Kosovës, duke folur aty këtu, se kinse ato nuk ishin para të taksapaguesve, e nga erdhën pra, se mos pikën nga “Qielli”?! Ndaj shumë më mirë do të ishte që vet Haradinaj përfundimisht të lirohet nga frika e ndëshkimit nga populli dhe nga ligji, e të ofrojë dorëheqje nga partia dhe politika, ne vend që ti kërkojë Kurtit dorëheqjen, sapo kryeministri aktual, futi në veprim reciprocitetin e parë me Serbinë, të cilin me gjithë të metat, Thaçi, Veseli, Mustafa as Haradinaj, nuk patën guxim, jo ta jetësonin , por as ta provonin ta vendosnin, kurrë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.