Ka fshehur pasuritë jashtë vendit/ Kush është politikani shqiptar i “Pandora Papers”?

ICIJ ka bërë publike hartën e shtrirjes së dosjeve me llogaritë dhe pasuritë e fshehura nga politikanët, ku në rastin e Shqipërisë thuhet se është vetëm një politikan i përmendur në to, që do të thotë se është një politikan që ka pasuri, apo llogari të fshehura në parajsa fiskale.

Emri i politikanit nuk bëhet i ditur aktualisht, por ai mund të mësohet në ditët në vazhdim, me thellimin e hetimit të gazetarëve ndërkombëtarë. Rekordin në hartën e ICIJ e mban Ukraina me 38 politikanë, ndjekur më pas nga Rusia, Nigeria, India, Spanja, Franca, Angola e Italia.

Çfarë është Pandora Papers?

Pasuritë, llogaritë bankare dhe marrëveshjet e fshehta të udhëheqësve botërorë, politikanëve e miliarderëve janë ekspozuar në një prej rrjedhjeve më të mëdha të dokumentacioneve financiare që besohet se për nga përmasat mund t’ja kalojnë edhe “Panama Papers”.

Cilësuar si skandali “Pandora Papers”, ekspertët besojnë se publikimi i këtyre dokumentave në ditët në vijim do të trondisë vende të ndryshme në mbarë botën për shkak të përmbajtjes mjaft sensitive që kanë.

Deri më tani besohet se të paktën emrat e 35 udhëheqës aktualë dhe ish-udhëheqës, mbi 300 ish-zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme të botës përmenden në këto dokumenta, së bashku me llogaritë dhe pasuritë e fshehta që zotërojnë.