Toshkovski: Në katër raste është shkelur heshtja zgjedhore

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, në një deklaratë për media u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në votime dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, raporton SHENJA.

“Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës,” tha ministri Toshkovski.

Ai informoi se procesi zgjedhor po zhvillohet pa pengesa të mëdha dhe në përputhje me standardet demokratike. Deri në momentin e deklaratës, vetëm një vendvotim në një fshat të vogël në komunën e Prilepit kishte pasur vonesë në fillimin e procesit, por edhe atje votimi kishte filluar më vonë pa probleme.

“Pres që dita e sotme të kalojë me zgjedhje të lira dhe fer. Deri tani nuk kemi hasur ndonjë problem serioz në procesin zgjedhor,” shtoi ai.

Ministri theksoi gjithashtu se gjatë ditës së djeshme janë evidentuar katër raste të parregullsive potenciale, të cilat janë duke u shqyrtuar nga autoritetet përkatëse. /SHENJA