Është e lehtë të shesësh mend kur je larg betejës, por shumë më e vështirë të tregosh solidaritet kur studentët kanë nevojë për mbështetje konkrete. Për 144 ditë protesta paqësore, sa prej këtyre zërave u dëgjuan në mbrojtje të studentëve? Sa deklarata mbështetëse, sa shkrime, sa reagime publike? Heshtje. Një heshtje që sot e bën edhe më të zhurmshëm moralizimin e tyre.
Nuk i dëgjuam me të njëjtin zell as kur Shqipëria u përfshi nga skandale të rënda politike, dyshime për korrupsion, çështje të pronave dhe akuza që tronditën institucionet. Nuk i pamë të mobilizoheshin me të njëjtin pasion përballë aferave që kërkonin transparencë dhe përgjegjësi politike. Por sot, kur studentët dalin për të kërkuar llogari, papritur shndërrohen në ekspertë të pronës publike, të dialogut dhe të mënyrës se si duhet bërë protesta.
Po, prona publike duhet mbrojtur. Po, dhuna duhet shmangur. Por këto parime nuk mund të përdoren si perde për të shmangur pyetjen thelbësore: Kush mban përgjegjësi politike për gjendjen që i ka nxjerrë studentët në rrugë? Përse Edi Rama dhe qeveria e tij nuk vendosen në qendër të debatit për përgjegjësinë, në vend që gjithë vëmendja të zhvendoset te pasojat e protestës?
Studentët nuk kanë nevojë për leksione paternaliste nga ata që dje nuk gjenin kohë as për një fjali solidariteti. Kanë nevojë për mbështetje, përkrahje dhe respekt për të drejtën e tyre për të protestuar. Ata po kërkojnë llogaridhënie nga pushteti, ndërsa disa po përpiqen t’u mësojnë se si duhet ta bëjnë këtë, sikur problemi të ishte mënyra e protestës dhe jo arsyet që i nxorën në rrugë.
Solidariteti nuk matet me mendtë që shet sot, por me zërin që ngrite dje, kur të tjerët kishin nevojë për ty. Dhe kur për 144 ditë ke zgjedhur heshtjen, sot ke shumë pak të drejtë morale t’u mbash leksione atyre që po protestojnë.
Nëse nuk patët guximin t’i mbështesni kur protestonin në paqe, të paktën mos u paraqitni sot si mësues të demokracisë. Ndonjëherë, heshtja e djeshme do të ishte shumë më dinjitoze sesa hipokrizia e sotme.



