Toka e “helmuar” me arsen në Llojan, nxënësit e shkollës vazhdojnë të jenë të rrezikuar

“Jemi në fushën e shkollës Rilindja ku mësojnë nxënës nga fshati Llojan dhe Vaksincë, vetëm 100 metra larg meje gjenden mbetje të arsenit të cilët janë kancerogjene për këto nxënës”, raporton Remzije Bilalli, gazetare në TV21.

Rreth 100 metra larg, vijë ajrore nga miniera mësimin e ndjekin nxënës nga dy fshatra të cilët çdo ditë janë të ekspozuar në thithjen e arsenit, e në rrezik janë të gjithë banorët. Drejtori i kësaj shkolle Idriz Sulejmani thotë se problemi duhet të zgjidhet në nivel shtetëror.

“Çdo iniciativë që është marrë është hedhur me një fjalë, nuk është realizuar me përjashtim është bërë njëfarë mbulese gjoja se është mbuluar dhe largu arseni por arseni nuk largohet. Ky është problem shtetëror pasi që hapa të ndërmerr Ministria e Ekologjisë të bëjë diçka në këtë drejtim sepse ju thash numëron 360 nxënës dhe ju rrezikohet jeta gjithherë”, tha Idriz Sulejmani, drejtor i Sh.F. “Rilindja”.

Sulejmani tha se si zgjedhje e shohin qëndrimin në këtë shkollë në të cilën kanë investuar sepse shkollat ku duhet të dislokohen janë shumë larg dhe nuk kanë hapësire të mjaftueshme.

Nga MASH nuk morëm përgjigje se a do të bëhet dislokimi i kësaj shkolle dhe çfarë do të bëhet me këto nxënës.

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi për Tv21 theksoi se ka pas disa iniciativa për pastrim si nga ana e Ministrive kompetente edhe shoqata të huaja, por nuk është arritur tërësisht të pastrohet për shkak kostos së lartë. Arifi shtoi se janë në bisedime me pushtetin qendror për zgjidhjen e problemit.

“Për fat të keq ka mbetje të arsenit dhe xeheve tjera që janë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Komuna e Likovës është komunë rurale dhe me kapacitet të vogël financiar nuk ka mundësi për të bërë pastrim në tërësi të arsenikut dhe xeheve tjera. Sa i përket dislokimit të shkollës nuk mund të bëhet sepse aty mësojnë nxënësit e dy fshatrave Llojanë dhe Vaksincë dhe objekte tjera të lira nuk kemi”, tha Arifi.

Nga Ministria e Ekologjisë theksuan se është bërë skanimi i një pjese të mbetjeve pran shkollës fillore në Llojan për shkak nevojës urgjente për zvogëlimin e rrezikut për shëndetin e fëmijëve. Në vitin 2014 Ministria Ekonomisë ka nënshkruar kontratë për shfrytëzimin e mbetjeve si burim mineral teknogjene me Kompaninë Kaltun Madendzilik e cila ka kërkuar të tërhiqet nga koncesioni, për shkak problemeve me Covid 19 nuk ka arritur të realizohet eksploatimi.

“Në qoftë se dështon procesi i koncesionit do të shihen të gjitha mundësitë për sanimin e deponisë në Llojan dhe më gjerë. Për shkak se mbetjen në Llojan kanë qenë në kontratë koncesionare ky aktivitet nuk është parapa në buxhetin e ministrisë”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndryshe nuk ka asnjë tabelë të vendosur në afërsi e cila tregon për rrezikun e këtyre mbetjeve. Mbetje të ngjashme të arsenit ndodhen edhe në Tabanoc./TV21