Frikë dhe tmerr në banesat sociale të shtetit në Kërçovë. Mbeturina gjithandej, njerëz që rrinë korridoreve të banesave dhe flenë në bodrumin e ndërtesës, thyejnë dhe hedhin gjithçka kush mundet, lifti është jofunksional dhe mbeturina pa fund të lëna nga njerëz që hyjnë dhe dalin në këtë ndërtesë edhe pse nuk banojnë aty.
Banorët e kësaj ndërtese janë të revoltuar dhe frikësuar, kërkojnë zgjidhje nga përgjegjësit sepse vetë nuk ia dalin mbanë edhe pse kanë provuar disa herë.
Shumica e banuesve janë në moshë të vjetër, jetojnë në katet e larta dhe kërkojnë me ngulm që të riparohet ashensori i cili nuk punon prej vitesh.
“Unë dua të jetë pastër, shihe si është katastrofë dhe më hedhin mbeturina aty poshtë, unë i pastroj, ata i hedhin sërish, dyert nuk mbyllen, ngjiten lart me thika të na vrasin.”
“Kërkojmë të mbyllen dyert në ora 21, 22 të mbyllen dyert sepse këtu hyn gjithkush që kalon, kemi frikë të ngjitemi shkallëve, këtu është rrezik, qentë flenë brenda, mbeturinat i hedhin në bodrum.
-A janë nga banesat këtu njerëzit apo nga jashtë?
“Nga jashtë edhe nga brenda, por më shumë njerëz nga jashtë po mblidhen shumë njerëz këtu.”
“Si në ahur jemi këtu, prej lart nuk mund të zbresim poshtë, më dhemb këmba, dora, këtu vijnë bëjnë nevojën kujt t’i kujtohet. Nuk mund të lëvizësh rahat të shkosh në spital, njerëz ka plot hipin, zbresin, është ahur për lopët dhe viçat, kush do vjen shkon bën nevojën. Kërkojmë të lëshohet ashensori, prej te kati i 4-t nuk mund të zbresim poshtë, më dhemb këmba, dyert hapen, njerëz flenë në bodrum.”
“Unë jam e operuar, burri im është i sëmurë me sëmundje të zemrës, astmë, ne jemi njerëz të vjetër, pse të rrijë ashensori ashtu të mos e bëjnë, ne paguajmë edhe rrymë për ashensorin, ashensori nuk punon, kjo është për t’u habitur.”
Ata thonë se për problemin me liftin dhe për sigurinë e jetës kanë trokitur gjithëandej, por edhe pse kanë marrë premtime, asnjëherë askush nuk u ka dalë në ndihmë e as SIZ që është përgjegjës për mirëmbajtjen e këtyre banesave sociale.