“Titanik”, dënohet me 1.000 euro njëri prej avokatëve

Për shkak të mungesës në seancë gjyqësore për lëndën “Titanik”, avokati Petar Vasilev, përfaqësues i të akuzuarës Gordana Jankullovska, është dënuar me 1.000 euro.

Gjykatësi Osman Shabani, gjatë këtij vendimi shpjegoi se avokati Vasilev, nuk është hera e parë që mungon në seancë gjyqësore.

Gjykimi për këtë lëndë është në fazën e prezantimit të dëshmive verbale nga ana e prokurorisë.

Për sot ishte paraparë që të merren në pyetje tetë dëshmitarë, por do të dëshmojnë vetë dy, pasi pjesa më e madhe e dëshmitarëve nuk kanë marrë ftesa për dëshmim.

Këtë rast për parregullsitë në zgjedhje e përfaqëson prokurorja Lila Stefanova, përderisa procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësi Osman Shabani.

Në “Titanik”, përveç ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili ishte në arrati, janë të akuzuar Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkovska Boshkovski, Ilia Dimovski, Munir Pepiç, Edmond Temelko, Kiril Todorovski dhe të tjera. Ata janë të dyshuar për shoqërim kriminel, shkelje të të drejtës së votës, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, mitmarrje gjatë zgjedhjeve dhe votim, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore.