Timonie për LAJM: Shkupi dhe Sofja të marrin mësim nga pajtimi franko-gjerman

Ambasadori francez, Kristijan Timonie është afër përfundimit të mandatit në Maqedoninë e Veriut, mandat gjatë të cilit la përshtypje si diplomat mjaft aktiv. Në një intervistë për Gazetën Lajm, ambasadori Timonie flet për zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut, por edhe ato në rajon.


Lajm: Z. Timonie, po e përfundoni mandatin në Shkup. Me çfarë përshtypje po largoheni nga Maqedonia e Veriut? Cilin moment do ta veçonit nga qëndrimi juaj disavjeçar?

Timonie: Këto katër vite ishin pikë kthese për vendin: ndryshimi politik, ndryshimi i emrit, hyrja në NATO dhe marrëveshja në parim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në… Pa llogaritur këtu peripecitë e 27 prillit në kuvend, por edhe ato rreth referendumit ose prokurorit special, si dhe rrjedhjes së “bombave” të ndryshme. Pothuajse çdo ditë ka qenë e zënë me diçka. Me gjitha këto ulje dhe ngritje, krijohet përshtypja se vendi pas një periudhe të ngecjes, është duke hapëruar në rrugën e ndërtimit evropian. Është një kënaqësi e madhe që kam marrë pjesë në gjithë këtë ecejake.

Lajm: Kur e filluat mandatin, a keni besuar se do të largoheni pa i filluar vendi ynë negociatat për anëtarësim në BE? Një kohë edhe Franca u kritikua si fajtore për këtë, sa ishin të bazuara ato kritika?

Timonie: Franca ka një konceptim të rreptë kërkues dhe realist të ndërtimit evropian. Ajo beson se prirja evropiane e Ballkanit Perëndimor është e padiskutueshme. Por sidoqoftë, ishte e nevojshme të merreshin parasysh përvojat e kaluara dhe specifikat e ndryshme, në mënyrë që të mos ndiqej një rrugë që rrezikonte të ishte e pafund, zhgënjyese dhe frustruese për popullatat dhe të shndërronte shpresën në zhgënjim. Ne kemi frymëzuar një metodologji të re, të bazuar në progresin e vërtetë të vendeve kandidate, për të favorizuar konvergjencat (përputhjet) politike, ekonomike dhe sociale, thelbësore për të krijuar një Evropë të fortë.

Lajm: Negociatat për anëtarësim do të zhvillohen sipas metodologjisë së re, e cila u vendos më së tepërmi me insistim të Francës. A do të jenë negociatat me këtë metodologji më të vështira për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë?

Timonie: Kërkesat e rrepta për përparimin e shtetit të së drejtës janë më të forta dhe formojnë shtyllën kurrizore të procesit. Është për të mirën e të gjithëve, dhe në veçanti të qytetarëve të vendeve të tanguara, të cilët do të mund t`u kërkojnë llogari autoriteteve të tyre, në lidhje me përparimet e bëra, veçanërisht në rast zmbrapsjeje, e të cilën metodologjia e ka parasysh.

Lajm: Tani vërehet në horizont një problem i ri për procesin euroatlantik të Maqedonisë, e ai është Memorandumi Bullgar. Sipas mendimit tuaj, ka rrezik që problemi me Bullgarinë të shndërrohet në problem më afatgjatë, apo do të tejkalohet së shpejti? A ndan Franca qëndrimin gjerman se problemet bilaterale duhet të zgjidhen mes dy vendeve, e jo në Bruksel?

Timonie: Ballkani është i pasur me histori, me mite, me kujtesa dhe ngjarje, që nuk janë gjithmonë të lehta për tu bërë të pajtueshme, veçanërisht nëse janë objekt i përdorimit të tepruar nga politikanët. Andaj, duhet të nxitet dhe inkurajohet mirëkuptimi rajonal dhe respekti i ndërsjellë, rritja e bashkëpunimit midis të rinjve dhe intelektualëve dhe, mbi të gjitha, të mos përzihen këto çështjet e së kaluarës në ndërtimin evropian. Ky i fundit është i kthyer që nga origjina e tij drejt së ardhmes, siç edhe ka qenë pajtimi franko-gjerman. Le të mbështetemi te arsyeja dhe le të inkurajojmë zgjidhje të bazuara në diskutime dhe shkëmbime ndërmjet Sofjes dhe Shkupit.

Lajm: Si i komentoni zhvillimet në rajonin tonë. Në Uashington u arrit marrëveshje ekonomike mes Kosovës e Serbisë, kurse në vijim janë arrestimet nga EULEXI në bazë të dyshimeve nga Gjykata Speciale e Hagës?

Timonie: Ne vetëm mund të përshëndesim përparimin shpresëdhënës. Mbetet që të ndërmerren hapa të reja dhe Bashkimi Evropian është aktiv në këtë drejtim. Sa i përket rolit të drejtësisë ndërkombëtare, ajo nuk mund të shqitet nga një zgjidhje afatgjatë, e cila do të mbështetet në të vërtetën dhe transparencën e plotë mbi përgjegjësitë individuale në ngjarje ndonjëherë tragjike. Drejtësia ndërkombëtare ka mbështetjen tonë të plotë për të bërë këtë.

Lajm: Z. Timonie, për fund, gjatë mandatit tuaj latë përshtypje si diplomat tejet aktiv në Maqedoninë e Veriut. Ku do të vazhdoni karrierën tuaj më tej?

Timonie: Do të doja të vazhdoja aktivitetin tim në rajon dhe të kontribuoja drejt përparimit të tij në ndërtimin evropian, me “një prekje franceze”, mu ashtu siç dëshiron edhe presidenti Makron, i cili shestonte dhe mëtonte që Franca të angazhohej në mënyrë aktive në Ballkan.