“Tigrat”, Grubi: Është koha e pajtimit

Zëvendëskryeministri Artan Grubi, i quan tendencioze lajmet që qarkulluan në disa media maqedonase, sipas të cilave Grubi nuk ka treguar respekt për “Tigrat”. Përkundrazi, sipas Grubit, nëse nuk do të tregonte respekt as që do të pranonte të marrë pjesë në këtë aktivitet, përcjell in7. Në deklaratën e dhënë për Plusinfo, Grubi sqaron të gjitha dilemat rreth rastit, ndërsa shton se është koha për pajtim mes veti.

“Tendencioze janë lajmet. Nëse nuk do doja të shpreh respekt nuk do të pranoja fare të isha pjesë e delegacionit. Këtu jam sepse është koha për pajtim tani kur shënojmë 20 vjetorin e konfliktit dhe nga Marrëveshja kornizë e Ohrit”, ka thënë zëvendëskryeministri, Artan Grubi për Plusinfo.

Dje u shënua 40 vjetori i themelimit të Njësisë për detyra speciale “Tigrat”, ndërsa pjesëmarrja e Grubit dhe Nazim Bushit dhe mirënjohjet që këta të dy i pranuan nga ky njësit, shkaktuan reagime të shumta në opinion. Grupi “Tigrat” njihet si grupi i “branitellave”, që në vitin 2001 luftonin kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare./SHENJA