Tifozi i Ronaldos: Messi i fitoi pa meritë tre Topa të Artë

Një tifoz i Cristiano Ronaldos ka tentuar ta dëshmojë se idhulli i tij është lojtar më i mirë sesa rivali Lionel Messi, përmes disa postimeve në llogarinë e tij në Twitter, ku pretendoi se  argjentinasi s’i ka merituar tre nga gjashtë Topat e Artë që i ka fituar.

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo e kanë krijuar një rivalitet të zjarrtë gjatë dekadës së fundit, kur tifozët e secilit kanë tentuar ta dëshmojnë me statistika e shembuj se cili prej tyre është më i mirë në botë.

Edhe pasi Ronaldo u largua nga Real Madridi dhe shkoi në Juventus, zënkat e tilla mes tifozëve s’janë ndërprerë. Së fundi, një tifoz i Ronaldos tentoi ta dëshmojë se idhulli i tij është më i mirë duke thënë se tre nga gjashtë Topat e Artë të Messit janë të pamerituar, përderisa shtoi se e njëjta gjë mund të thuhet vetëm për një Top të Artë të Ronaldos.

“Në vitin 2010, Sneijder e meritoi Topin e Artë, por Messit iu dha në mënyrë kontroverse. Sneijder e kishte fituar tripletën me Interin dhe i kishte ndihmuar Holandës të shkojë në finale të Kupës së Botës. Por Messi e fitoi edhe pse ishte i tmerrshëm në Kupën e Botës. Favorizimi ka qenë cilësia më e madhe e karrierës së Messit”, shkroi @cr7raprhymes.

“Në vitin 2012, Messi e fitoi vetëm Kupën e Mbretit. 91 golat e tij ishin të pavlefshme kur ai u zhduk në ndeshjet vendimtare për titull kundër Real Madridit në Camp Nou dhe ishte zhgënjyes në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Chelseat. Iniesta e fitoi Evropianin, mirëpo u la nënë hije vetëm sa për t’ia dhënë Messit një karrierë”, shtoi ai.

“Në vitin 2019, Messi ishte i tmerrshëm. Ai e humbi gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve përkundër që ishte në epërsi 3:0 nga ndeshja e parë, e humbi finalen e Kupës së Mbretit dhe ishte i tmerrshëm në Kupën e Amerikës, duke e shënuar vetëm një penallti në gjashtë ndeshje. Van Dijku e fitoi Ligën e Kampionëve dhe e pati një sezon të mrekullueshëm edhe me klubin e edhe me Kombëtaren, por Messit ia dhanë sërish titullin”, përfundoi ai.

Më tutje, tifozi i Ronaldos pretendoi se e vetmja herë që Ronaldo kishte fituar në mënyrë kontroverse nga gjithsej pesë herët që e fitoi këtë çmim kishte qenë në vitin 2013, kur thotë se e kishte merituar më shumë Ribery.