T’i largosh këta njerëz nga pushteti është gjëja më e mirë

Shkruan: Bekim Fazliu

🔸️Në një emision dokumentar për ish liderin sovjetik Nikita Hrushov, në nji moment mbesa e tij, Nina Hrushova, thotë: Më ka thënë gjyshja (gruaja e Hrushovit), madje dy here, që “Hrushovi i vitit 1962 nuk ishte i njejti me Hrushovin e vitit 1956″. Madje e mbesa citon për gjyshin e saj edhe thënien e historianit anglez Lord Acton:”Absolute power, corrupts absolutely” (Pushteti absolut, absolutisht të korrupton)! Kur këto fjalë për më të dashurin e tyre i thonë gruaja dhe mbesa, kjo gjë flet shumë se sa i rrezikshëm është pushteti absolut! Pushteti absolut, njeriun e shndërron në JONJERI!

🔘Paramendoni tani në çfarë krijesa i ka shndërruar pushteti absolut 20 vjeçar, këta pushtetarët tanë që ka kaq ditë që po i shohim duke qarë për humbjen e pushtetit! Sepse pushteti absolut, qoftë për një shtet super fuqi, apo për ndonjë shtet të vogël, por qoftë edhe mbi një njeri, ka të njejtin ndikim te njeriu që e posedon atë. Si për 300 milion si për 1 milion, pushtetari absolut vendos për fatet e njerëzve dhe zakonisht vendos keq, mbjell vetëm shkatërrim e dëshpërim!

🔘Ata bëhen rob të kultit të madhështisë së tyre, kultit të individit, duke krijuar kështu si pasojë kultin e sahanlëpirësve, këtyre krijesave të parealizuara, që frustracionet e tyre i shërojnë vetëm duke iu lëpirë liderit suprem. Ata humbin sensin me realitetin. Ata bëhen të varur nga pushteti, njësoj si narkomani ndaj drogës apo bixhozxhiu ndaj bixhozit!

🔘Ata është vështirë t’i rrëzosh nga pushteti me një proces normal demokratik, sepse kontrollojnë çdo gjë. Ata kontrollojnë punësimet, kontrollojnë gjykatat, prokurorinë, policinë, ekonominë, kulturën, kanë plot mercenarë medialë, kontrollojnë në masë të madhe komisionet zgjedhore nëpër vendvotime, kontrollojnë, frikësojnë dhe shantazhojnë edhe votuesin! Ata tentojnë ta kontrollojnë edhe demokracinë. Dhe gjithë këtë e bëjnë vetëm për t’i ushqyer egot e tyre të sëmura dhe të pangopura, për t’i shëruar komplekset e tyre.

🔹️T’i largosh këta njerëz nga pushteti është gjëja më e mirë që mund t’i ndodh këtij populli! Unë kam pasur shokë, që ndryshuan vetëm nga postet partiake, e kur BDI ju dha edhe pak pushtet, u kthyhen në ca krijesa që unë nuk i njoh më! Pushteti pa llogaridhënie është gjë e rrezikshme!