Thiago Silva zbulon sekretin e jetëgjatësisë: Të rinjtë mendojnë se është humbje parash

Futbollisti me eksperiencë i Chelseat, Thiago Silva, po luan në një nivel të lartë edhe në moshën 40-vjeçare dhe është një lojtar standard në formacionin titullar të “Bluve të Londrës”.

Braziliani nuk ka humbur asnjë minutë në fushë në dhjetë ndeshjet e sezonit të ri në Ligën Premier dhe ka zbuluar për The Guardian sekretin e jetëgjatësisë së tij.

Silva tha se ai ka shtatë punonjës që kujdesen për formën dhe karrierën e tij në përgjithësi. Ekipi prej shtatë ekspertësh përbëhet nga një mjek, një fizioterapist, një nutricionist, një agjent, një avokat, një menaxher marketingu dhe një trajner personal.

Silva e sheh stafin si një investim dhe arsyen kryesore pse karriera e tij e madhe ka zgjatur kaq shumë dhe kritikoi kolegët e rinj që e konsiderojnë humbje parash.

“Sot, të rinjtë, shumë prej tyre, e shohin një investim të tillë si një shpenzim. Ata mendojnë se është humbje parash të kesh dikë në krah. Ata mendojnë se po humbasin para duke i ndihmuar një ekspert. Unë mendoj se është thjesht e kundërta: është një investim”, ka thënë braziliani.

Ai ka shpjeguar përditshmërinë e tij, të cilën e kalon prej vitesh dhe ka thënë me shaka se 24 orë nuk i mjaftojnë për të bërë gjithçka.

“Kjo është dita ime nga mëngjesi në mbrëmje: zgjohem rreth orës 8 të mëngjesit dhe duhet të jem në kampin stërvitor deri në orën 8:45. Vij, pi kafe, bëj atë që duhet të bëj para stërvitjes, dhe pastaj ka stërvitje. Këtu në ambientet e klubit bëj rikuperimin pas stërvitjes,më pas kthehem në shtëpi dhe pushoj për dy orë”.

“Zgjohem dhe më pas ekipi im i specialistëve është gati për të vazhduar rikuperimin.Ka edhe ushqim, pasdite është darka, suplementet. Mundohem të jem në dispozicion të familjes sime. Çdo ditë është njësoj. Unë stërvitem më pak se më parë dhe i përkushtohem më shumë rikuperimit”, ka zbuluar Silva.

Silva është pjesë e Chelseat që nga vera e vitit 2020, kur mbërriti si transferim i lirë nga Paris Saint Germain.

Më parë ka luajtur për Milanin, Fluminensen, Dinamon e Moskës dhe Porton, teksa është paraqitur në 113 ndeshje për kombëtaren braziliane.