Thiago e do largimin nga Bayerni për t’iu bashkuar Liverpoolit

Mesfushori i Bayern Munichut, Thiago Alcantara, raportohet se ka vendosur të mos e rinovojë kontratën me gjigantin gjerman pasi që e dëshiron transferimin në Liverpool.

29-vjeçari beson se ky afat kalimtar i verës është mundësia e tij e fundit për t’iu bashkuar një tjetër klubi elitar evropian dhe ai nuk dëshiron ta humbë këtë mundësi për ta provuar një sfidë të re.

Spox dhe Sport Bild raportojnë se vendimi i Thiagos për të vendosur kundër rinovimit të kontratës me Bayernin vjen pas interesimit të Liverpoolit për transferimin e tij këtë verë.

Pasi që kontrata e Thiago përfundon në vitin 2021, Bayerni mund të jetë i gatshëm ta shesë mesfushorin këtë verë në mënyrë që të mos e humbë atë për asnjë cent verën e ardhshme.

Megjithatë, Bayerni pritet t’i kërkojë rreth 50 milionë euro për Thiagon, me të cilin kishte negociuar për kontratë të re gjatë dy muajve të fundit.

Por, ende mbetet të shihet nëse Liverpooli do të jetë i gatshëm t’i shpenzojë aq shumë para këtë verë, pas dëmeve financiare që ua ka sjellë të gjitha klubeve kriza e koronavirusit.

Pas përballjes me Bayernin në vitin 2019, trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e kishte lavdëruar Thiagon, duke e quajtur atë lojtar të klasit botëror.