Klopp, i mahnitur nga sukseset e veta: Si është e mundur të jesh 20 pikë para Cityt?

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, është i pamposhtur në 55 ndeshjet e zhvilluara si vendas në Premierligë. Para ndeshjes kundër Crystal Palace – që është klubi që e mposhti Liverpoolin në Anfield, në prill të vitit 2017 – Klopp u shpreh i mahnitur nga sukseset e skuadrës së tij.

Strategu gjerman 53-vjeçar është afër të bëjë diçka që asnjë trajner i Liverpoolit s’ka arritur ta bëjë që nga sezoni 1989/90, kur klubi e fitoi titullin e kampionit të Anglisë për herë të fundit, me legjendën e klubit Kenny Dalglish.

Gjatë 30 vjetëve që nga titulli i fundit, Liverpooli i ka shkuar disa herë shpalljes si kampion i Anglisë, për herë të fundit sezonin e kaluar, kur mbeti me vetëm një pikë dallim prapa Manchester Cityt.

Tani, pas një pauze tremujore shkaku i koronavirusit, Klopp ka mbetur i befasuar nga arritjet e Liverpoolit së fundi, duke e theksuar se nuk arrin ta kuptojë se si skuadra e tij arriti epërsi prej 20 pikësh ndaj Manchester Cityt.

“Nëse ju e shikoni ndeshjen e Manchester Cityt [fitoren 5:0 kundër Burnleyt të hënën], pyetja e vetme që e kam është: “Si është e mundur që dikush t’i ketë fituar 20 pikë më shumë sesa ata””, tha Klopp.

“Si është e mundur një gjë e tillë? Që të jem i sinqertë, unë nuk e kuptoj atë aspak. Me siguri që i kemi bërë shumë gjëra ashtu siç duhet, nuk ka të bëjë vetëm me një ndeshje”.

“Paraqitjet e djemve, niveli në të cilin ata kanë performuar – jo vetëm këtë sezon, por edhe sezonin e kaluar – është i mrekullueshëm. Ata na i kanë dhënë mundësinë t’i fitojmë këto pikë”.