“Thërret Prizreni moj Tetovë” dhe Albin Kurti!

Shkruan: Naser Pajaziti

Në majin e 2011 në fushatë zgjedhjesh për herë të parë u plasua ideja për rrugën “Tetovë-Prizren”, me aq bujë e pompozitet nga BDI, e që e kishte pjesë të programit të saj.
Pra, para 12 viteve doli si premtim i bujshëm zgjedhor dhe kaluan shumë e shumë cikle zgjedhore, kjo rrugë përpos një studimi fizibiliti të vitit 2013, ngeli në pikën zero.

Kalonin vitet dhe ciklet zgjedhore, projekti ishte “copy-paste” në çdo program zgjedhjesh, dhe kurrë nuk ishte lansuar si diçka me prioritet.

Dhe një ditë, doli Albin Kurti në një nga tubimet parazgjedhore dhe na riktheu vëmendjen e këtij projekti.

Albini i dha jehonë, prioritet, afatizime sipërfaqësore dhe po vazhdon t’i jep shtytje serioze, por ndoshta duke mos pasur të qartë se çka po luhet në anën tjetër.

Por, Albin Kurti a e ka të qartë se:
– Rruga Prizren – Tetovë në anën e Maqedonisë së Veriut përpos një fizibiliteti, memorandumi për mirëkuptim, nuk ka diçka tjetër konkrete;
– Nuk ka asnjë afat të qartë;
– Nuk ka as para, as prioritete dhe këtë në mënyrë indirekte e pranojnë edhe vetë zyrtarë të lartë të Qeverisë në Shkup;
– Sa vite nuk është realizuar dhe nuk po realizohet 8 kilometërshi i famshëm i rrugës Shkup-Bllacë,
– Nga viti 2014 ka ngecur pa u realizuar rruga Kërçovë-Strugë (Korridori 8 me mbi 370 milionë eurot e siguara nga bankat kineze në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit. Paratë shkuan dhe përfunduan rrushë e kumbulla me korrupsion e me trase të përvjedhura katastrofale, gjithçka ende e pakryer. Janë kërkuar edhe 100 milionë euro shtesë për shkak të projektimit të gabuar.
– Nuk është askund rruga e premtuar pak kilometërshe Strugë-Qafë Thanë, e cila është thuajse e shkatërruar dhe përbën edhe rrezik, e thuajse çdo vitë banorët e fshatrave të kësaj zone dalin në protesta.
– Qeveria tashmë ka prioritet Korridoret 8 dhe 10 me Bechtel Enka, si projekte kapitale; dhe vështirë që projeksionet financiare buxhetore lejojnë një luks edhe për akse tjera shumëmilionëshe.

Përpos këtij lëmshi infrastruktror, Albin Kurti a e di se në Maqedoninë e Veriut gjithmonë para zgjedhjeve çka nuk ofrohet e premtohet!

Se këtej shumë lehtë është të premtosh dhe të mos e realizosh, e të fitosh zgjedhje e të bësh qeveri, duke përbi e shkërrmoqur programet me premtimet zgjedhore.

Partitë këtu premtojnë parlamente dydhomëshe, federalizime, ridizajnime shteti, ridefinime, presidentë e kryeministra shqiptarë, e çka nuk premtojnë, premtime me bollëk. Dhe, të nesërmën gjithçka përfundon duke luajtur lojën e budallait, dhe duke bërë turr për të hy në rrethin vicioz të qeverive që ndërrojnë e pazarojnë kartat dhe hartat e prioriteteve.
Albin Kurti ndoshta do t’ia dal që ta përshpejtoj e finalizoj më shpejt në anën e tij, por sa do t’ia dalin këta këtej…Andaj është parashikim i vështirë se kur do të ndodhë dhe a do të arrij që sa më shpejt ta shijoj bozën tetovare, duke përshkuar rrugën shpatieve të Sharrit.

Kujdes se këta të presin rrugën dhe të lënë pa bozë!

Rruga e tanishme prej Tetovës në Prizren është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, por që kostoja financiare shkon mbi 200 milionë euro.