Thellohet përçarja në BDI, vazhdojnë përplasjet mes Mexhitit dhe Grubit

Vazhdojnë reagimet e anëtarit të kryesisë së BDI-së Izet Mexhiti, me kritika për punën e ekzekutivit dhe organizimin e brendshëm të partisë. Sipas tij, ndarja e përgjegjësive dhe posteve, brenda partisë më të madhe shqiptare në pushtet nuk bëhet në bazë të meritave për votat që anëtarët sigurojnë. Mexhiti drejton gishtin me akuza të rënda ndaj bashkëpartiakut Artan Grubi, i cili sipas tij, merr përsipër më shumë se ka kapacitet.

Ai për momentin ushtron postin e sekretarit organizativ në organizatën që nuk e njeh mirë. Me dorëheqjen e Atilla Rexhepit ushtron jozyrtarisht edhe postin e sekretarit gjeneral, edhe të shefit të kabinetit, edhe të zv/kryeministrit të parë, edhe kontrollon mediat për vetëpromovim dhe për të sulmuar bashkëpartiakët që mendojnë ndryshe, ai merret me forumin e gruas, me forumin rinor, ai merret me çështjet kadrovike. Në popull nuk ka kaluar mirë në 2016-ën dhe në zgjedhjet tjera, në strukturat partiake në këshill vendor i ka humbur zgjedhjet, në këshill të partisë nuk është i zgjedhur”, tha Izet Mexhiti, BDI.

Reagimet e kohëve të fundit, sipas Mexhitit, nuk janë luftë as për post në ekzekutiv dhe as për pasardhës të kryetarit të partisë Ali Ahmeti. Madje, kjo e fundit, thotë Mexhiti, është teori e shpikur nga Grubi. Artan Grubi, nga ana tjetër, e quan Mexhitin veteran të BDI-së. Sipas Grubit, Mexhiti ka kapacitet për t’u bërë kryetar.

Unë mendoj që ka. Besoj që z. Mexhiti ka dhënë kontribut. Është një veteran në politikë, siç e tha edhe dje. 20 vite ka kontribut në këtë shoqëri në radhët e BDI-së. Unë mendoj personalisht se askush prej nesh nuk mundet ta zëvendësojë Ali Ahmetin sepse ai nuk është kryetar partie, është një lider i një shoqërie, është një personalitet i jashtëzakonshëm i historikut shqiptar”, pohoi Artan Grubi, BDI.

Grubi e konsideron vendim personal dorëheqjen e Izet Mexhitit nga roli i koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së.

“Vendimi i shokut, mikut, kolegut, bashkëpartiakut, Izet Mexhiti është vendim personal dhe unë e respektoj. Program Qeveritar është konfirmuar me votë nga po këta deputetë në Kuvend kur është zgjedhur edhe Qeveria. Qeveria është zgjedhur me Program Qeveritar i cili ka marrë përkrahjen e po këtyre 62 deputetëve dhe ripërkrahjen në votimin për mocionin e besimit”, pohoi Artan Grubi, BDI.

Mexhiti paralajmëron që nuk do të përkrahë të gjitha nismat e pushtetit në Kuvend sepse tashmë përfaqëson një zë ndryshe.

“Përfaqësoj një mendim ndryshe gjatë kësaj periudhe brenda BDI-së, me vërejtjet e mija ndaj këtij ekzekutivi. Prej pozicionit të deputetit do të jem pak më i lirë për të mbrojtur qëndrimet e mia, më lirshëm dhe pa hamendje se mund t’i ndikoj deputetët e tjerë apo t’i vendos në siklet”, tha Izet Mexhiti, BDI.

Mexhiti një ditë më parë njoftoi kryeparlamentarin Xhaferi për dorëheqje nga pozita e koordinatorit të grupit parlamentar në Kuvend. Ai në emisionin “200” që do të transmetohet sonte në Alsat, theksoi nevojën për rifreskimin e organeve të partisë, kryesisë qendrore dhe kryesisë së ngushtë dhe të formohet këshill i përgjithshëm./ALSAT