Thaçi takon krerët e partive politike, në dyshim takimi me Kurtin

Me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar për sot takime me kryetarët e partive politike nga pozita dhe opozita.

Takimi me Albin Kurtin, kryeministër i Republikës së Kosovës dhe kryetar i LVV-së do të mbahet në ora 13:00. Ndërsa takimi me Isa Mustafën, ish-kryeministër dhe kryetar i LDK-së mbahet në ora 10:30.

Thaçi do të takohet edhe me Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së në ora 11:30, Ramush Haradinaj, ish-kryeministër dhe kryetar i AAK-së në ora 12:30.

Takimet e kreut të shtetit në Presidencë do të vazhdojnë me Fatmir Limajn, ish-zëvendëskryeministër dhe kryetar i NISMA-s në ora 13:45 dhe Behgjet Pacollin, ish-zëvendëskryeministër dhe kryetar i AKR-së në ora 14:15.

Në dyshim mbetet takimi me kryeministrin Albin Kurti pasi që në agjendën e tij për ditën e sotme nuk është paraparë ndonjë takim me kreun e shtetit.

Kurti ka bërë të ditur se sot pret në takim Dale Pfeiffer, themeluesin e Fondit Amerikan të Edukimit në Kosovë (KAEF), si dhe do të marrë pjesë në seancën për Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe në Shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore.

Gjithashtu, ka paralajmëruar edhe një takim me bordin e organizatës joqeveritare “Germin”.

Ndryshe, presidenti Thaçi këto takime i mban pas vizitës së fundit në SHBA ku është takuar me homologun e tij nga Serbia Aleksandar Vuçiq.