Thaçi: Ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas kthimit nga Haga, ku u intervistua për 4 ditë nga 6 orë, u është adresuar qytetarëve të vendit. Ai ka thënë se gjatë kësaj jave, për katër ditë rresht, ka kryer detyrimin e tij qytetar dhe institucional për t’u paraqitur para prokurorëve në Dhomat e Specializuara në Hagë. Por që nuk ka dhënë detaje shtesë për atë se çfarë është pyetur atje.

“I kam përfunduar rreth 30 orë ballafaqim me trupën e organit të akuzës, ku jam njohur me të gjitha pretendimet e tyre dhe u kam dhënë përgjigje pyetjeve të tyre. Kam respekt të plotë për procesin e zbardhjes, deri në fund, të së vërtetës dhe të rolit tim në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi. Për shkaqe etike dhe të kufizimeve ligjore nuk mund të hyj në detaje konkrete të këtij ballafaqimi. Por, nga ana tjetër nuk mund të mos ndaj asgjë me ju. Jam i vetëdijshëm që të gjithë ju që më keni qëndruar afër me përkujdesje vëllazërore, me të drejtë mund t’i keni pikëpyetjet tuaja për pretendimet e Prokurorisë Speciale ndaj meje” ,tha ai.

Presidenti Thaçi edhe njëherë ka ripërsëritur se historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe evropiane nuk mund të rishkruhet nga askush.

“Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush”, tha ai.

Presidenti Thaçi, ka thënë se ky është proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet.

“Ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik. Këto përbuzje etnike, maltretimi i shqiptarëve qysh në barkun e nënës, sjelljet gjenocidale kundër popullit me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat gjenocidale do të jetë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet”, tha ai.

Presidenti Thaçi në adresimin e tij para qytetarëve të vendit tha se ashtu si deri më tani, do të vazhdojë sakrificën personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare.

Një histori e mbushur me lëndime të shkaktuara nga akuzat kundër meje dhe kundër luftës sonë të përbashkët me SHBA-në, me NATO-n, me shtetet e Bashkimit Evropian dhe shtetet mike të tjera, për çlirimin e popullit të Kosovës nga diktatura fashiste e Sllobodan Millosheviqit dhe e shtetit të Serbisë”, tha ai

Thaçi ka falënderuar të gjithë qytetarët për respektin dhe solidaritet gjithëkombëtar, duke i lutur të gjithë që ta vendosin Kosovën mbi dallimet politike partiake, mbi hatërmbetjet dhe pakënaqësitë e përditshme.

Ndërsa ka shtuar se Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota.