Thaçi i thotë jo Ramës: Nuk bëhemi pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama duke deklaruar se Kosovë nuk do të marrë pjesë në samitin rajonal për Minishengenin Ballkanik.

Edhe pse e falënderon Ramën dhe Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, Thaçi thotë se Republika e Kosovës vazhdon të ketë nga Serbia pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet.

Thaçi thotë se Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe BE dhe nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale.

“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në fund, dua të theksoj se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë, shkruan Thaçi në Facebook.